Reali largon edhe një talent

Vetëm pak kohë më parë presidenti Florentino Perez shprehu gjithë besimin që ka klubi kundrejt trajnerit Carlo Ancelotti. Reali i Madridit aktualisht nuk po përjeton momentin e tij më të mirë dhe humbja përballë Barcelonës në El Clasico djeg shumë por edhe nëse Los Blancos e mbyllin sezonin pa asnjë trofe trajneri italian do të vijojë punën në krye të klubit merengues. Në këtë mënyrë Ancelotti ka filluar që tani nga puna për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Reali i ri do të ketë shumë ndryshime dhe disa futbollistë nga grupi aktual do të largohen. Sami Khedira, Asier Illaramendi, Alvaro Arbeloa dhe Fabio Coentrao janë me valixhe në duar por përvec tyre Realit mund ti japë lamtumirën edhe talenti Jese Rodriguez.

Futbollisti 22-vjecar i cili u rikthye të luante pas një dëmtimi të rënde pikërisht në sfidën e 2 Dhjetorit të kaluar ndaj modestëve të Cornellas, takim në të cilin shënoi edhe 1 gol, nuk po rigjen formën e tij opitmale dhe sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle Ancelotti e ka humbur besimin e madh që kishte te Jese. Në këtë mënyrë drejtuesit e Los Blancos mund të vendosin ta shesin në verë talentin spanjoll ashtu sic bënë me Alvaro Moratan një vit më parë. Për Jese Rodriguez interesohen disa klube angleze ku në radhë të parë qëndrojnë Liverpooli, Tottenhami dhe Arsenali por ai pëlqehet edhe nga disa skuadra të La Ligas.