Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka reaguar për deklaratën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për çështjen e FC Prishtinës.
KOK ka lëshuar një deklaratë për media ku ka dashur ta sqaroj opinionin dhe komunitetin sportiv se KAS është një organ i pavarur i cili zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme e KOK-ut dhe funksionin në përputhje me legjislacionin sportiv dhe standartet ndërkombëtare të drejtësisë sportive.
Deklarata e plotë nga KOK:
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dëshiron të sqarojë opinionin dhe komunitetin sportiv lidhur me deklaratën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ndaj vendimit të fundit të Këshillit për Arbitrazh Sportiv (KAS), që i dha të drejtë padisë së FC Prishtina.
KAS është një organ i pavarur, i cili zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme e KOK-ut dhe funksionon në përputhje me legjislacionin sportiv dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë sportive. Anëtarët që e përbëjnë KAS-in zgjidhen po ashtu nga Asambleja e KOK-ut për ciklin
olimpik 2021-2025 dhe pikërisht z. Eroll Salihu, si kryetar i KAS-it, është propozuar nga FFK-ja për anëtar, sikurse anëtarët tjerë nga federatat tjera.
KAS-i nuk është i KOK-ut, siç pretendon FFK-ja dhe nuk i raporton KOK-ut, siç nuk i ka raportuar as në vendimin e fundit ndaj FFK-së, e as vendimeve paraprake ndaj federatave tjera.
Pra, KOK nuk ndërhyn në proceset vendimmarrëse të KAS-it dhe nuk ndikon në vendimet e tij, duke respektuar në tërësi autonominë e këtij institucioni.
Në strukturën e sportit të Kosovës, çdo institucion ka përgjegjësi të qarta dhe të ndara. KOK-u është institucioni ombrellë që përfaqëson sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe mbështet zhvillimin e federatave sportive pa ndërhyrë në punët e brendshme të tyre. Ndërkohë,
KAS-i vepron si një organ arbitrazhi i pavarur që adreson konfliktet e ndryshme në fushën sportive dhe vepron në përputhje me standardet ligjore për të garantuar drejtësi për të gjitha palët.
KOK vlerëson lart kontributin e FFK-së dhe çdo federate tjetër për punën dhe përkushtimin në masivizimin e sportit dhe sukseseve ndërkombëtare, por kërcënimet dhe presionet për shqyrtim të anëtarësisë në KOK, për shkak të një vendimi të KAS-it, janë të papranueshme dhe të cilat tentojnë të ndikojnë në rolin e KAS-it dhe pavarësinë e tij. KAS funksionon në mënyrë të pavarur nga çdo institucion tjetër dhe mbetet i përkushtuar në zbatimin e drejtësisë sportive, pa u ndikuar nga anëtarësimi apo pozita e një organizate sportive brenda KOK-ut.
KOK-u është i përkushtuar të sigurojë që çdo organ i krijuar për zgjidhjen e çështjeve sportive të funksionojë në përputhje me parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë. Në këtë kontekst, KOK- u i bën thirrje të gjitha federatave, përfshirë FFK-në, që të respektojnë parimet e drejtësisë sportive dhe të shmangin çdo lloj presioni që mund të cenojë pavarësinë e KAS-it. KOK fton të gjitha organizatat sportive të bashkëpunojnë për një klimë sportive të drejtë dhe të ndershme.
Çdo ndërhyrje ose presion mbi KAS-in dëmton jo vetëm integritetin e këtij organi të pavarur, por edhe frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional në sportin tonë.