Rashica si Ronaldo

Milot Rashica ka qenë personaliteti i javës në uebfaqen zyrtare të Federatës Evropiane të Futbollit, “UEFA.com”.

Madje, kjo e fundit në artikullin që ia ka kushtuar futbollistit kosovar e ka krahasuar atë me yllin portugez, Cristiano Ronaldo, por edhe me yllin brazilian, Neymar. “Ronaldo është idhulli i Rashicës dhe në mes tyre ka disa ngjashmëri: kur e merr topin instinkti i tij i parë është të shkojë përpara dhe t’i bëjë gjërat të ndodhin.

Ai gjuan në portë, nëse mundet. Në disa raste, ai duket edhe si Neymari shqiptar”, shkruan kjo uebfaqe. Vushtrriasi i ka mahnitur tifozët e Vitesses në sezonin e tij debutues.

“Ai është një fitimtar, i cili e di se çka dëshiron. Kjo është ajo që ju shihni në çdo ndeshje që luan ai. Ai i bën gjërat në mënyrën e duhur dhe është një djalë i mirë. Shpresoj të vazhdojë të zhvillohet në këtë mënyrë, sepse është kënaqësi ta shohësh duke luajtur”, ka thënë trajneri i Vitesses, Rob Maas.

E do Evropianin

Pa dyshim, synimi kryesor i Rashicës për këtë vit është pjesëmarrja në Kampionatin Evropian me Kombëtaren Shqiptare. Ai debutoi me Kuqezinjtë në miqësoren me Luksemburgun, por tash gjithçka është në duart e përzgjedhësit, Gianni De Biasi.

“Ëndërr imja është të shkoj në Francë me Shqipërinë gjatë verës dhe shpresoj që të mund të kemi paraqitje të mira atje”, deklaroi ish-futbollisti i Vushtrrisë, i cili flet edhe për shkathtësitë të cilat i posedon. “Kur e kam topin, shkoj përpara, më pas shikoj ta kaloj kundërshtarin. Sapo të jem përballë kundërshtarëve, unë mund ta përdor shpejtësinë dhe teknikën time”, vijoi 19-vjeçari.

E lavdëron De Biasi

Gianni De Biasi e ka lavdëruar talentin kosovar, për të cilin thotë se mund të jetë e ardhmja e Kombëtares Shqiptare. “Milot Rashica është një lojtar i jashtëzakonshëm. Mund ta shoh se ka aftësi të mëdha dhe një teknikë të nivelit të lartë. Ne duhet t’i mbajmë sytë kah ai, pasi është një lojtar me të ardhme të madhe. Nuk jam i sigurt nëse është i gatshëm për Evropian ose për ‘Projektin Rusi’. Vetëm e di se, nëse vazhdon të luajë në mënyrën se si po e bën me Vitessen, do të jetë një pasuri e madhe”, ka thënë trajneri italian.

“UEFA.com” e përshkruan Rashicën si një lojtar të aftë që luan me këmbën e djathtë, por nuk e ka keq as të majtën. Driblimet që i bën nga e djathta kanë bërë që ai të bëhet lojtar i dashur për tifozët e Vitesses. Me këtë ekip ai ka realizuar 8 gola në 28 ndeshje në Eredivisie, ndërsa debutoi sivjet edhe në Europa League. Në Kombëtaren Shqiptare ka debutuar në miqësoren e 29 marsit ndaj Luksemburgut.

Milot Rashica është bërë lojtari i parë në histori të kampionatit holandez të futbollit, që i shënon 8 gola brenda sezonit, ende pa i mbushur 20 vjet.