Rashica i dyti për driblime në Holandë

Milot Rashica ka qenë një ndër surprizat më të bukura të këtij sezoni jo vetëm për Vittesen, por edhe për të gjithë fansat e kombëtares shqiptare.

Lojtari nga Vushtrria ka spikatur në shumë takime për ekipin holandez, duke qenë jo pak herë vendimtar.

Këtë fakt e konfirmojnë edhe statistikat, ku në këtë ligë 19 vjeçari mban vendin e 2-të përsa i përket driblimeve. Një cilësi mjaft e mirë që futbollisti shqiptar e disponon. Ai ka marrë iniciativën në 154 raste duke realizuar me sukses 61 dribilme.

Sigurisht një numër jo i ulët po të llogaritet edhe eksperienca e pakët e Rashicës në këto nivele. Në vendin e parë ndodhet mesfushori maroken i Twentes Hakim Zijek.

Rashica në këtë edicion ka zbritur në fushë në 25 ndeshje duke realizuar 7 gola, ndërkohë që duke iu referuar edhe portalit të specilizuar në vlerësimin financiar të lojtarëve në treg “transfermarket”, vlera e 19 vjeçarit është rritur ndjeshëm, ku aktualisht kartoni i tij llogaritet të kushtojë 2 milion euro.

Për mesfushorin e përfaqësueses së 21 vjeçarëve është interesuar së fundmi klubi i Napolit, ai gjithashtu është nën vëzhgim edhe nga ana e drejteusve të Chelsea-t.