Rashica drejt Ligës Premier, Werderi nuk heq dorë nga kërkesat e saj

Milot Rashica pritet që gjatë afatit kalimtar veror të largohet nga Werder Bremen.

Ylli nga Kosova ishte shumë i kërkuar në verën e vitit 2020, por në fund Werder nuk mbeti i kënaqur me ofertat dhe vendosi ta mbajë kosovarin.

Gjithsesi forma që ka shfaqur Rashica këtë edicion me Werderin është kilometra larg nga ajo e vitit të kaluar dhe çmimi i tij ka rënë dukshëm.

Werder vitin e kaluar kërkonte 30 milionë euro, por tani vlera e vushtrriasit është përgjysmë më e vogël.

Skuadra gjermane është gati ta lejoj largimin e Rashicës nëse vije një ofertë prej 15 milionë eurove.

E ardhmja e reprezentuesit kosovar mund të jetë në elitën e futbollit anglez, Ligën Premier ku Aston Villa vazhdon të monitorojë situatën e tij.

Por çmimi prej 15 milionë eurove që po kërkon Werderi po vlerësohet si i lartë, pasi Miloti këtë edicion ka realizuar vetëm një gol.

Gjithsesi sulmuesi anësorë vazhdon të jetë në listën e dëshirave edhe të skuadrave gjermane si Hertha Berlin, Wolfsburg dhe Bayer Leverkusen.

24-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 18 ndeshje në Bundesliga, ku përveç një golit ka edhe pesë asistime.