Rashani, lojtari më në formë i Kosovës në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës

Elbasan Rashani është lojtari më në formë i Kosovës në prag të ndeshjeve vendimtare të Kombëtares në kualifikime për Kupën e Botës 2020, pasi ai po e përjeton një fillim të ëndërruar të karrierës në Ligue 1.

Rashani i ka shënuar tri gola dhe e ka dhënë dy asiste në katër ndeshje për Clermont Foot deri tani, statistikë që e bën atë lojtarin më në formë të çastit në Kombëtaren e Kosovës.

Rashani iu bashkua këtë verë Clermontit nga Büyüksehir Belediye Erzurumspor, klubi i kategorisë së dytë të futbollit turk. Mesfushori i lindur në Hillerstorp të Suedisë i ndihmoi Clermontit ta shmangë humbjen në dy ndeshjet e fundit në ligë.

Ai shënoi dy gola, përfshirë njërin në çastet e fundit të takimit dramatik në barazimin 3:3 me Lyonin fundjavën e kaluar. Ndërsa, këtë javë, ai asistoi një herë dhe shënoi një herë tjetër për t’i ndihmuar Clermontit ta përmbysë një disavantazhin prej dy golave për të barazuar 2:2.

Ai është ftuar nga trajneri Bernard Challandes për tri ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2022, që mbahet vitin e ardhshëm në Katar. Kosova do të përballet me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, para se të kthehet në Prishtinë për ta pritur Greqinë më 5 shtator dhe ish-kampionen e botës Spanjën tri ditë më vonë.

Kjo është hera e dytë që dardanët marrin pjesë në kualifikime për Kupën e Botës dhe sërish e kanë nisur keq, duke i humbur të dy përballjet e para, kundër Spanjës dhe kundër Suedisë. Skuadra e Bernard Challandes duhet t’i fitojë të paktën dy prej tri ndeshjeve të shtatorit për ta mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit historik.

Lionel Messi debuton për PSG-në, zëvendëson Neymarin

Ekipi shqiptar mbërrin në Varshavë, nisin përgatitjet për sfidën me Poloninë