Raporti i KG të FFK: Tifozët e Vëllaznimit sulmuan lojtarët e Onixit

Ndeshja e Ligës së Parë mes Vëllaznimit të Gjakovës dhe Onixit të Banjës së Pejës nuk kaloi e qetë.

Komisari i Garave të FFK-së, Avdyl Bellopoja, bazuar në raportet e ndeshjes, ka ngritur procedurë disiplinore ndaj klubit gjakovar.

Shkak për këtë janë bërë përleshjet mes dy skuadrave, si dhe hyrja e tifozëve vendas në fushë.

Sipas KG, tifozët e Vëllaznimit kanë sulmuar lojtarët e Onixit, raporton Gazeta Olle.

Më poshtë mund të gjeni raportin e KG të FFK-së

Inicime disiplinore

-ndaj lojtarit Miftar Miftari, ID:002762M96 për shkak se pas përfundimit të ndeshjes, ka sharë, fyer, ofenduar dhe ka tentuar t’i sulmojë referët në ndeshjen Vitia – 2 Korriku.

-ndaj lojtarit me nr. 45 Vegim Ymeri, ID:002763M99 për shkak se pas përfundimit të ndeshjes, ka sharë, fyer, ofenduar dhe ka tentuar t’i sulmojë referët në ndeshjen Vitia – Ramiz Sadiku.

-ndaj KF ‘Vitia’ për shkak se pas përfundimit të ndeshjes, persona të paautorizuar hynë në fushë dhe ka sharë, fyer, ofenduar dhe kanë tentuar t’i sulmojnë referët.

-ndaj ndihmëstrajnerit të Vëllaznimit, Luan Tabaku, me ID:011419M67, për shkak se pas përfundimit të ndeshjes krijohet një tollovi në fushë në mes të lojtarëve të dy skuadrave, me ç`rast trajneri Luan Tabaku, sillet në mënyrë jo sportive (kap për fyti) lojtarin mysafir në ndeshjen Vëllaznimi – Onix.

-ndaj KF ‘Vëllaznimi’, për shkak se pas përfundimit të pjesës së parë, persona të paautorizuar hynë në lokalet e KF ‘Vëllaznimi’ dhe kishte tentim përleshje me persona zyrtarë të ekipit mysafir. Kjo ngjarje ndikojë që pjesa e dytë të fillojë me 8 (tetë) minuta vonesë. Pas përfundimit të ndeshjes tifozët vendas u futen në fushë nga të gjitha anët, disa nga të cilët sulmuan lojtarët mysafirë në ndeshjen Vëllaznimi – Onix.

-ndaj kryetrajnerit të KF ‘Vëllaznimi’ Ekrem Radoniqi, me ID:006747M67, për shkak se në minutën e 62-të, pas ndëshkimit të lojtarit të Vëllaznimit me karton të kuq hyn në fushë dhe me tone të larta refuzonte ta lëshojë fushën, me ç`rast është ndëshkuar me karton të kuq, në ndeshjen Vëllaznimi – Onix.

-ndaj lojtarit me nr.55 dhe ID:002274M96 Ardit Vokshi, për shkak se në minutën e 62-të sulmon (grushton) lojtarin kundërshtar dhe pas ndëshkimit me karton të kuq ishte shumë agresiv dhe tentonte t’i sulmoj lojtarët e ekipit mysafir. I njëjti pas përfundimit të ndeshjes nga tribuna futet në fushë dhe sulmon fizikisht një lojtar kundërshtar, në ndeshjen Vëllaznimi – Onix.

-ndaj personit për siguri të KF “Vëllaznimi” Besnik Gojani, me ID:011420M74, për dështim në kryerjen e detyrës zyrtare, hyrje e personave të paautorizuar në lokalet zyrtare dhe në fushë, me qëllim të sulmit ndaj lojtarëve dhe zyrtarëve të ekipit mysafir.

-ndaj Irfan Hashani, me ID:015074M77, ngase pas përfundimit të ndeshjes, ofendon me sharje dhe fyerje referin kryesor, në ndeshjen Dardana – Ramiz Sadiku.

Këshilla juridike:

Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte/ankesës në Vendime tek Komisioni Disiplinor i FFK-së/ Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të nenit 85, pika 3, e Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.

Me respekt
Komisioni i Garave i FFK-së
Abdyl Bellopoja