Ramos: Kemi vuajtur kundër Messit gjatë këtyre viteve

Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, do të hedhë në treg një dokumentar mbi karrierën e tij të titulluar “Legjenda e Sergio Ramos”.

Dokumentari do të jetë me seri dhe do të jetë një rrëfim mbi të gjithë karrierën e 35 vjeçarit, ndërsa prestigjiozja spanjolle “Marca” ka zbuluar një frazë nga dokumentari i shumëpritur.

Në pjesën e shkëputur dëgjohet teksa Ramos flet me superlativa për Messin, dhe gjithashtu e konsideroi si një “pengesë” sulmuesin argjentinas pasi sipas tij, Reali do të kishte fituar më shumë trofe nëse nuk do të kishin patur Mesin përballë gjatë këtyre viteve.

“Ne kemi vuajtur kundër Mesit gjatë këtyre viteve. Ndoshta nëse Barcelona nuk do ta kishte në sulm këto vite, ne do të kishim fituar më shumë trofe.

Ishte koha kur u përballëm me Barcelonën më të mirë në histori. Ne kishim një trajner të shkëlqyeshëm si Jose Mourinho, por ishte e vështirë për ne t’i mposhtnim ata. Ne nuk fituam shumë përballë tyre dhe të gjitha ndeshjet kishin shumë tension, të shkaktuar nga ne ose nga ata”, shprehet Ramos.