Ramaj thotë se u kontaktua nga Kosova dhe Shqipëria, por po pret Gjermaninë

Portieri Diant Ramaj ka pranuar se ka marrë ftesë nga Kosova dhe Shqipëria, por ai po e pret Gjermaninë. Kështu ka deklaruar portieri me rrënjë nga Kosova në një intervistë për mediumet holandeze.

Ramaj është pjesë e skuadrës së Ajaxit, ndërsa në intervistën e tij, ka folur për shumë gjëra. Mbi të gjitha, ai ka folur edhe për shtetin që synon ta përfaqësojë në të ardhmen, shkruan Koha.net.

Ramaj po shpreson dhe është në pritje të ftesës nga Gjermania, ndërsa ka të drejtën për të luajtur edhe për Kosovën e Shqipërisë. Ai ka luajtur për gjeneratat e reja të Gjermanisë.

“Më duhet të bëj një zgjedhje, por nuk dua ta bëj shumë shpejt”, ka thënë Ramaj. “Kosova dhe Shqipëria tashmë më janë afruar. Unë thashë se më duhet kohë, edhe sepse shpresoj dhe pres Gjermaninë”.

Ramaj e di se Gjermania ka portierë të mirë dhe me përvojë: Manuel Neuer, Marc-Andre ter Stegen dhe Kevin Trapp. Megjithatë, ai thotë se duhet të ftohet nga Gjermania për shkak të moshës së re që ka.

“Por portierët e Gjermanisë janë mbi 30 vjeç. Kur shikoj vendet e tjera, ka një portier të ri kudo. Shikoni Bart Verbruggen në Holandë. Nuk po them se duhet të jem portier i parë apo të luaj atje, por është mirë nëse edhe Gjermania thërret një të ri dhe i tregon botës se një brez i ri po vjen”, thotë Ramaj.

Në fakt, Ramaj mendon se ka gjasa të mira për t’u ftuar nga Gjermania pasi është pjesë e një ekipi me nam si Ajaxi.

“Në këtë moshë, unë luaj për një klub të lartë. Mirë, Ajaxi nuk është në formën më të mirë tani, por ata po ndërtojnë përsëri një ekip për të ringjallur kohërat e vjetra të suksesit. Pak portierë të rinj kanë shansin të luajnë për një klub kaq të madh dhe të fitojnë eksperiencë”, është shprehur Ramaj.

Ai thotë se zemra i rreh për Kosovën dhe Shqipërinë, por thotë se në Gjermani është lindur dhe rritur.

“Ndoshta po pres kot. Nga ana tjetër nuk doni të merrni vesh më vonë se mund të kishit qenë portier i Gjermanisë. Zemra më rreh për të dyja ekipet: Shqipërinë dhe Kosovën, i shoh si atdheun tim, por unë jam lindur dhe rritur në Gjermani. Kjo nuk është aspak e lehtë”, ka thënë ai.

Florian Loshaj ka ‘vjedhur’ gjithë vëmendjen me gjestin e tij, shpëtoi kundërshtarin nga një lëndim i madh

Zyrtare: Jadon Sancho kthehet te Borussia Dortmundi