Vendi në tabelë nuk ka ndryshuar. Por shumë gjëra kanë ndryshuar te Drita që nga emërimi i Zekirija Ramadanit në krye të shtabit teknik, më 30 nëntor të vitit të kaluar.
Drita ishte dhjetë pikë prapa Ballkanit atë kohë. Ishte në vendin e tretë në tabelë me 25 pikë nga 14 ndeshje, ndërsa Ballkani i kishte 35 pikë nga 13 ndeshje. Llapi ishte në vendin e dytë me 28 pikë nga 15 ndeshje.
Kjo renditje është edhe sot. Por diferenca e pikëve është shumë e vogël. Ballkani është i pari me 56 pikë, Llapi i dyti me 54, sa ka edhe Drita në vendin e tretë. Derisa Ballkani pësoi rënie, Llapi e Drita u ngritën.
Trajneri shkupjan e kishte vlerësuar të vështirë garën për titull. Por jo edhe mision të pamundur.
“Kur erdha unë, Drita ishte shumë larg liderit. Duke njohur potencialin e secilit futbollist të Dritës, kisha besim që do të rihapim garën për titull. Ashtu edhe ndodhi”, ka thënë Ramadani të hënën për KOHËN.
Ai përmendi situatën kur ishte shumë prapa me pikë sa udhëhiqte Prishtinën, ndërsa në fund fitoi titullin e kampionit.
Kampionati i Kosovës në futboll ka hyrë në fazën e fundit. Në fazën më të nxehtë, edhe trajneri Ramadani e di se gabimet nuk falen.
“Tani janë ndeshjet e fundit dhe çdo gabim mund të jetë një hap larg titullit. Ai ekip që nuk gabon ose bën më së paku gabime, do të jetë në fund kampion”, është shprehur Ramadani.
Prej katër klubeve sa i ka udhëhequr në Kosovë, Zekirija Ramadani ka fituar tre tituj të kampionit.
Suksesin e ka arritur me tri skuadra të ndryshme. Titullin e katërt e synon me klubin gjilanas.
“Asnjëherë nuk duhet të kënaqemi me arritjet kur është mundësia për të bërë edhe më mirë. Gjithmonë mendoj dhe jam i bindur që kemi pasur mundësi edhe më mirë të jemi me pikë. Gjithmonë kërkoj më tepër nga vetja dhe secili futbollist. Titulli na plotëson të gjithëve”.
Ramadani para se të kthehej në Kosovë punoi te skuadra saudite, Ohod. Por jo gjatë e me ndonjë sukses. Më herët ka punuar në Kosovë edhe te Trepça ’89, Feronikeli, Prishtina e Gjilani, rivali i Dritës.
Punën si trajner në Kosovë e nisi në vitin 2017. Fillimisht udhëhoqi drejt titullit Trepçën ’89. Me klubin nga Mitrovica fitoi edhe Superkupën. Pas suksesit të arritur në Mitrovicë, iu besua një projekt tjetër, nga klubi i Drenasit, Feronikeli, tashmë i shuar.
Me Feronikelin fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën. Edhe me Prishtinën fitoi titullin e Superkupën.
“Mburrem me gjëra që kam arritur deri më sot, por gjithmonë mendoj se mund të arrij edhe më tepër. Por ajo që më ka kënaqur më tepër është që secili lojtar që ka punuar me mua e ka ndier veten si një profesionist i vërtetë dhe të gjithë kanë pasur paraqitje të jashtëzakonshme kur kanë punuar me mua. Aftësia për të gjetur metodën e duhur për secilin lojtar që t’ia nxjerrë maksimumin është kënaqësia për mua”.
Ramadani ka kontratë me Dritën deri në vitin 2025 me mundësi vazhdimi deri në vitin 2026.