Java e 15-të e Superligës së Kosovës sjell kryendeshjen e shumëpritur mes dy rivalëve të kreut të tabelës, FC Ballkani dhe FC Drita, që do të përballen nesër në “Stadiumin e Qytetit” në Suharekë.
Kjo përballje është më shumë se një ndeshje për të dyja skuadrat, dhe këtë e konfirmoi edhe trajneri i FC Drita, Zekirija Ramadani, në konferencën për shtyp. Ai theksoi rëndësinë e derbit dhe ndikimin që detajet e vogla mund të kenë në përcaktimin e fituesit.
“Nuk ka ndeshje të lehta, por në aspektin e motivimit, për ne si trajnerë është shumë më e lehtë të motivojmë skuadrën për derbi. Këto ndeshje zakonisht i vendos një moment, dhe shpresoj që ai moment të jetë në favorin tonë,” deklaroi Ramadani.
Ramadani foli për rëndësinë e qasjes taktike dhe inteligjencës gjatë lojës, duke vënë theksin te kujdesi në prapavijë dhe shfrytëzimi i mundësive.
“Do të luajmë me mençuri, nuk duhet të futemi në aventura apo të rrezikojmë prapa. Fusha pritet të jetë e rrëshqitshme, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm, veçanërisht në situatat e ndërprerjeve. Në të njëjtën kohë, duhet të shfrytëzojmë intelegjencën tonë dhe të bëjmë ndryshime kur është e nevojshme, duke përdorur edhe lojtarët nga stoli, që e kanë dëshmuar veten,” tha ai.
Ramadani vlerësoi atmosferën dhe intensitetin në skuadër, duke theksuar që dëshira për fitore është evidente në çdo seancë stërvitore.
I pyetur për mundësinë e titullit kampion, Ramadani qëndroi i kujdesshëm, duke mos e parë si një temë për momentin.
“Fitorja ndaj Ballkanit do të ishte e mirëseardhur, por nuk do të thotë se jemi komod. Titulli kampion ka ende shumë ndeshje përpara. Synimi ynë është të marrim çdo ndeshje me qetësi dhe vetëbesim, duke shfaqur kualitetin tonë në fushë,” përfundoi Ramadani.