Ylber Ramadani ka kaluar problemet shëndetësore që kishte në javët e kaluara dhe i është bashkuar përsëri në fushën e lojës ekipit të Lecces. Ai ishte titullar në ndeshjen që skuadra e tij barazoi me shifrat 1-1 ndaj Cagliarit, duke iu afruar edhe më shumë mbijetesës në një sezon që ka qenë i shkëlqyer në aspektin personal për mesfushorin kuqezi.
“Dy javë më parë isha në spital dhe nuk isha aspak mirë. Dua të falënderoj trajnerin dhe klubin që më qëndruan pranë dhe për mbështetjen. Trajnerit i kam thënë gjithë javën që isha mirë dhe isha edhe mendërisht i gatshëm për t’u kthyer. Isha i përqendruar që të luaja dhe të paraqitesha mirë. Do të kisha luajtur që një javë më parë ndaj Monzës, pasi për mua është e rëndësishme që të zbres në fushë dhe të jap kontributin tim”, tha fillimisht mesfushori shqiptar për “DAZN” pas duelit të Serisë A.
“Sot mund të merrnim tre pikët dhe në fakt, pas barazimit i thashë Krstoviç që të shkonte dhe shënonte një tjetër gol. Ai është një djalosh i cili punon shumë dhe po bën mirë. Pastaj kur shënon është i lumtur.
Lecce ka një grup të bashkuar, jemi gjithmonë bashkë, bëjmë shaka, qëndrojmë bashkë edhe jashtë fushave të lojës.
Tani na mungon vetëm matematika për të siguruar mbijetesën. Nuk kemi përgatitur ende asgjë pikërisht për këtë arsye. Do të dëshiroja që të festonim në shtëpinë tonë, ku tifozët tanë kanë mbushur gjithmonë stadiumin dhe është e drejtë që të festojmë bashkë. Që kur kam ardhur te Leçe, si në shtëpi, si jashtë, nuk na ka munguar kurrë mbështetja e tyre. Për ne janë një krenari”, tha Ramadani pas ndeshjes së sotme. /panorama/