Rama vjen me deklaratë tejet interesante për Kombëtaren

Kreu i qeverisë nuk ka vonuar reagimin e tij në lidhje me deklaratat e Partisë Demokratike për stadiumin e ri që do të ndërtohet “arena Kombëtare”.

Edhe pse i angazhuar me punimet e Asamblesë Kombëtare, kreu i qeverisë ka postuar një koment të  gjatë në profilin e tij në Facebook, ku i kujton demokratëve situatën sesi ishte stadiumi dhe si do të bëhet, duke e lidhur këtë mbi të gjitha me imazhin e vendit.

Postimi

Ata që si zakonisht i dinë të gjitha prandaj edhe nuk dinë asgjë, janë sulur të përbaltin projektin e Arenës Kombëtare, pa kaluar ende 24 orë nga prezantimi! Kjo natyrisht është prova tjetër se një tjetër punë po bëhet si duhet. Për sa kohë stadiumi kombëtar u kanibalizua nga shtesat e prapashtesat e shëmtuara, s’ishte monument kulture. Askush nga këta nuk ndihej, si gjithnjë bashkëjetesën me rrënimin, pisllëkun e shëmtimin e kanë fare të kollajtë, ndërtimi, pastërtia, bukuria u vret sytë e u sëkëlldis mendjen e kyçur! Tani që rilindjes së stadiumeve u duhet shtuar Arena Kombëtare, u kujtuan këta për monumentin e kulturës…

Për këta s’qe fare problem, që ajo gërmadhë që rri në këmbë duke u mbajtur mbi gjithëfarë kioskash e garazhesh të shëmtuar, s’ishte më as stadium për Kombëtaren! E cila, të ishte për sojin e këtyre, do kishte përfunduar në emigracion për ndeshjet eliminatore, sepse UEFA e shpalli non grata “Qemal Stafën” e rrënuar. Dhe sikur kjo qeveri mos kishte ndërtuar Elbasan Arenën në kohë rekord, Kombëtarja do luante në shtëpitë e botës dhe zor se do ishte sot në Francë apo jo?!

‘Stadiumi i ri, arkitekti i dënuar për korrupsion, federata mban vetëm fushën e pak zyra’

Po kur thonë pastaj që s’ka në botë stadium me kullë apo për më tepër, me shërbime tregtare, meritojnë një dackë provash syve (shikoni fotot bashkëngjitur, nga stadiumi i ri i Milanit, tek stadiumet amerikane që janë modele zhvillimi te jetës urbane e sociale e deri tek stadiumi kombëtar i Helsinkit).

Sepse stadiumet e gjeneratës se fundit janë të gjithë kështu, jo në formë po në qëllim, kush me kulle vertikale e kush me volume të tjera horizontale; stadiumet duhet të jetojnë 7 ditë në javë jo vetëm kur ka ndeshje. Duhet të jenë objekte me mjedise e hapësira shumëqëllimëshe për jetën urbane, të cilat ofrojnë shërbime, argëtim, relaks, për të gjitha moshat.

Sqaroj se ky projekt është bashkëpunim i Qeverisë me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ne po bëjmë atë që dështoi ta bënte qeveria paraardhëse. E cila si ne të gjitha punët e tjera, premtoi stadiumin për 100-vjetorin e pavarësisë, tentoi ta jepte me koncesion, me garanci të kripur financiare nga buxheti i shtetit dhe në fund bëri një vrimë në ujë!

Ne do ta bëjmë Arenën Kombëtare në partneritet me privatin, ku partneri publik do jetë FSHF-ja, po ama pa paguar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit! Madje do përfitojmë përmes FSHF-së, një mbështetje financiare 10 milionë euro nga UEFA, pikërisht falë ambicies e standardeve të projektit të përzgjedhur.

UEFA që supervizon gjithë stadiumet e reja në Europë, që nga skicat e para deri në gurin e fundit, “çuditërisht” entuziazmohet për projektin dhe jep fonde. Ndërsa këta qe e lanë Shqipërinë pa asnjë stadium për Kombëtaren e për klubet në kupat e Evropës, i japin gojës për një projekt që do ta bëjë Shqipërinë vend aplikant, për të marre finalet e Europa League apo Superkupes së Europës!..

 

Mirë me qeverinë, po me Kombëtaren çfarë kanë xhanëm?!

 

Sa për arkitektin e famshëm italian, s’kanë faj që e akuzojnë si kriminel! Nuk zbuluan dot asnje kriminel në parlament me ligjin e tyre famoz të dekriminalizimit dhe tani e kanë zbuluar ne Arenën e re Kombëtare:-)))