Rama fajëson kushtet atmosferike për humbjen e Istogut, tregon si do të luajnë në ndeshjen e kthimit

Istogu e ka humbur betejën e parë me Dukagjini për të arritur finalen e madhe të Kupës së Kosovës, teksa është mposhtur 2-1 nga “Hithat” në gjysmëfinalen e parë të luajtur në shtëpi, por në kushte tejet të rënduara atmosferike.

Pikërisht për shkak të kushteve atmosferike dhe terrenit jo të përshtatshëm për lojë, trajneri i kësaj skuadre, Nazmi Rama, thotë se skuadra e tij e humbi ndeshjen.

Ai premtoi që do të luftojë përballë Dukagjinit edhe në duelin e fundjavës në kampionat, por edhe në duelin kthyes të gjysmëfinales.

“Ne jemi skuadër që luajmë futboll të bukur dhe në këtë terren ishte thuajse e pamundur. U kam thënë futbollistëve që ajo skuadër që do gaboj më pak dhe do ketë më tepër fat do ta fitojë ndeshjen dhe ashtu ndodhi”, deklaroi fillimisht Rama.

“Sikur kushtet atmosferike të ishin më ndryshe dhe gjendja e terrenit do ishte më e mirë ju garantoj që edhe skuadra jonë do ishte një tjetër ekip. Ne do të shkojmë në fundjavë për të luajtur me Dukagjinin dhe do të shfaqim ndeshje krejtësisht tjetër. Po ashtu do të luftojmë edhe në ndeshjen kthyese për ta përmbysur këtë rezultat”, përfundoi Rama.

Edhe në vikend priten që të takohen dy këto skuadra, por këtë herë në kuadër të xhiros së 22-të të Ligës së Parë në Grupin A.