Rahoveci pritet të bëhet me stadium të ri

Klubi i Futbollit “Rahoveci” së shpejti mund të bëhet me stadium të ri pasi Komuna e Rahovecit ka arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës që kjo e fundit të investojë në ndërtimin e një stadiumi për këtë klub së bashku edhe me mbështetjen financiare të komunës.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune Smajl Latifi i cili ka thënë se pas një takimi me presidentin e kësaj federate, ai është zotuar që FFK do të investojë në ndërtimin e një fushe për KF Rahovecin.

“Një marrëveshje potenciale që ne me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, ose me Federatën e Futbollit e kemi arritur për ngritjen e kapaciteteve të reja për nevoja të klubit të futbollit “Rahoveci” por edhe klubeve të tjera. Realisht ata kanë marrë përsipër që ne t’ua gjejmë një pronë dhe t’ua japim në shfrytëzim klubit të futbollit “Rahoveci” në mënyrë që më pastaj, sipas kritereve që i ka federata të investojë me mjete financiare, por edhe komuna merr pjesë, pra participon në ndërtimin e një fushe sportive ose një stadiumi me standarde të mira, të përshtatshme për të pasur edhe ndeshje ndoshta edhe të Superligës.”, tha Latifi.

Por, i pari i kësaj komune ka bërë të ditur se ende nuk është vendosur për lokacionin ku do të ndërtohet ky stadium. Ai ka thënë se ende nuk është arritur marrëveshje me drejtuesit e këtij klubi për vendin ku mund të ndërtohet ky stadium, por ka propozuar fshatin Xërxë si një lokacion më të përshtatshëm.

Latifi gjithashtu zbuloi se FFK ka kërkuar që prona t’i jepet në shfrytëzim KF Rahovecit për një periudhë 40 vjeçare në mënyrë që federata të ketë të drejtë të investojë.

“Ne menjëherë kemi filluar të mëremi me këtë temë, por ka disa paqartësi në udhëheqjen e klubit të futbollit “Rahoveci” sepse ne e kemi gjetur një pronë të gatshme dhe një pjese të udhëheqjes larg po iu duket te Malisheva, larg në Xërxë, në qytet nuk po mund të gjejmë.. Ne do të provojmë që të mos e lëshojmë nga duart donacionin do të provojmë në shkurt të kemi një, ndoshta do t’i adresohemi kuvendit që t’ia japim për 40 vjet, sepse kështu është kriter i federatës, por duhet patjetër të jetë KF Rahoveci sepse nëse nuk është dhe kjo fushë pastaj përdoret edhe nga klubet tjera, atëherë ata nuk investojnë, barra bie mbi ne…Meqenëse nuk po kemi shumë afër, vendi më i përshtatshëm është në Xërxë dhe mos të harrojmë, KF Rahovecit, Xërxës si vendbanim por edhe klubeve të tjera iu mbetet një fushë jashtëzakonisht e mirë.”, theksoi Latifi.

Rahoveci garon në Ligën e parë, grupi A, aty ku pas 14 ndeshjeve ka grumbulluar 25 pikë, tri më pak se Feronikeli 74 që e kryeson tabelën dhe po lufton për t’u inkuadruar në elitën e futbollit kosovar.

Bajrami flet për transferimin te Sassuolo: Jam shumë i lumtur që ndodhem në këtë klub

Ramadani trajner e Hyseni ndihmëstrajner te Përfaqësuesja e Kosovës në futsall