Rahoveci mposht Besën në ndeshjen e parë kampionale në hendboll

Besa Famgas e Rahoveci kanë luajtur derbi të vërtetë të hënën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Në fund kampionët nga Rahoveci i morën dy pikë me vete.

Rahoveci e fitoi 31-34 derbin e fillimit të edicionit, përkatësisht të xhiros së parë të Superligës së Kosovës në hendboll.

Kishte rivalitet, aksione e gola të bukur e mbrojtje të forta.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen, por “vreshtarët” vazhdimisht ishin në lojë.

Madje Rahoveci në pjesën e parë krijoi epërsi deri në katër gola, 15:11.

Por lojtarët e Besës reaguan dhe Olt Kabashi shënoi për 17:16 në sekondën e fundit të pjesës së parë.

Në mesin e pjesës së dytë lojtarët e Besës i humbën dy penallti rresht e më pas mbetën me pak lojtarë në fushë për shkak të penalizimeve me dy minuta. Rahoveci krijoi epërsi 28:22 dhe kështu sfida u vendos.

Mysafirët më pas nuk patën telashe për ta menaxhuar epërsinë deri në fund dhe për të fituar pikët e para në edicionin e ri garues.

Jon Muqolli i shënoi shtatë gola për Rahovecin. Nga gjashtë i realizuan Arbios Mushkolaj e Victor Alono, ndërsa pesë i kishte Mali Luzha.

Olsi Mulaj e Agon Bajqinovci i shënuan nga tetë gola për Besa Famgasin. Gjashtë i kishte Jakub Cwieka.

Derbi lokal në Mitrovicë, zhvillohet të premten

Armend Rugji dhuroi spektakël me ‘pritjet’ e tij edhe sa ishte te Ballkani, kishte pranuar 4 gola qesharak ndaj Gjilanit