Pse po ‘vajton’ Rafet Prekazi?

Feronikeli pa stadium ka arritur të shpallet kampion i Kosovës dhe ta fitojë Kupën, kurse Trepçës nuk i ka mjaftuar stadiumi më modern i Kosovës për të mbijetuar në Superligë. Madje, rënien nga elita klubit gjelbërezi nuk ia ka shmangur as historia e lavdishme, e cila vërtet ia jep statusin e të qenit klub gjigant.

Si e tillë, Trepça do të duhej të fillonte të ndërmerrte masa për rikthim në Superligë menjëherë pas rënies prej saj. Por, “Xehetarët” nga përfundimi i Kampionatit kanë heshtur, ndërsa shumë lojtarë u janë larguar dhe kështu nuk po japin shenja se do të rikthehen shpejt në elitë.

E kjo gjendje e Trepçës e vret në shpirt legjendën e saj, Rafet Prekazi, i cili pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar si futbollist në këtë skuadër, përpos katër vjetëve sa ishte pjesë e Prishtinës.

“Si nuk më dhemb kjo gjendje e Trepçës kështu?! Klubit në të cilin e kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës. Prishtina, Trepça, por edhe Vëllaznimi e Liria janë klubet më të mëdha të Kosovës dhe kur këto klube vijnë në këso situata, atëherë dëmtohet futbolli i Kosovës, jo veç klubet dhe qytetet e tyre”, thotë për “Zërin” Prekazi.

Ai çuditet për faktin se askush nuk ka nisur të ndërmarrë masa për ta riorganizuar klubin, në mënyrë që ai të rikthehet shpejt në elitë. “Nuk, di. Askush askujt nuk i jep përgjegjësi dhe askush prej askujt nuk kërkon përgjegjësi. Unë nuk po shoh shenja që të japin shpresa për një rikthim të shpejtë të Trepçës”, theksoi ai.

Trajneri i njohur e di  formulën, e cila do të mundë ta rikthente Trepçën në Superligë. “Ajo është shumë e thjeshtë. Vetëm duhet të riorganizohet klubi, asgjë më shumë. Por, organizim nuk ka dhe nuk ka pasur qe disa vite”, u shpreh Prekazi, i cili edhe si trajner ka punuar në këtë skuadër, por edhe te Trepça ’89.

Ai potencon se qyteti i Mitrovicës nuk e meriton që krenaria e kahershme e saj, Trepça të vijë në këtë situatë.