Edicioni 2023/24 në Superligën e Kosovës ka filluar në fundjavën që lamë pas, por me një ndeshje që nuk është zhvilluar.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani e ka nisur me fitore pasi mposhti Lirinë 0-1 në udhëtim në Prizren.
Fitore mori edhe Drita ku para tifozëve të vet mposhti Llapin në derbin e javës me rezultat të pastër 2-0.
Prishtina tregoi forcën ndaj Feronikelit duke e mposhtur 3-1, derisa fitore të madhe mori edhe Malisheva në udhëtim te Dukagjini 0-1.
Ndeshja mes Fushë Kosovës dhe Gjilanit nuk u zhvillua shkaku i problemeve të mëdha që po ka klubi gjilanas për tu organizuar për sezonin e ri.
Nga pesë ndeshje në program, njëra nuk u zhvillua
Në program ishin pesë ndeshje për tu zhvilluar në xhiron e parë, por dueli mes Fushë Kosovës dhe Gjilanit nuk u zhvillua.
Ka qenë Komisioni i Garave pranë FFK-së që ka shqyrtuar dhe analizuar kërkesën e Gjilanit dhe ka shtyrë duelin e xhiros së parë. Kjo për faktin se gjendja në klubin gjilanas nuk është aspak e mirë pas largimit të ish-presidentit Florim Zuka.
Ndeshje në kampin nacional
Është hera e parë që një ndeshje në Superligën e Kosovës zhvillohet në kampin nacional në Hajvali.
Prishtinës nuk iu lejua t’i zhvilloj ndeshjet në ‘Fadil Vokrri’ pasi gjendja e fushës është shumë e rënduar.
Kjo bëri që FFK dhe klubi kryeqytetas të arrijnë marrëveshje që Prishtina t’i zhvilloj dy ndeshjet e para në kampionat ndaj Feronikeliti (3-1) dhe ndaj Malishevës në xhiron e tretë do të zhvillohen në kampin nacional.
Kartoni i parë i kuqë për edicionin 2023/24
Kartoni i parë i kuq për sezonin 2023/24 u dha në ndeshjen Prishtina – Feronikeli.
Mesfushori me përvojë të madhe në futbollin kosovar, Behar Maliqi i mysafirëve u ndëshkua me të kuq nga gjyqtari Visar Kastrati.
Kartoni i parë i kuq për edicionin 2023/24 u dha në minutën e 28-të.
Goli i parë i sezoni 2023/24
Dy ndeshje u zhvilluan të shtunën dhe dy të tjera të dielën.
Mirëpo për të parë golin e parë tifozët u desh të pritej minuta e 33-të në sfidën Prishtina – Feronikeli.
Ishte qendërmbrojtësi i kryeqytetasve Egzon Sinani që realizoi me kokë për golin e parë të sezonit 2023/24.
Dy fitore të vendasve dhe dy të mysafirëve
Ka qenë një xhiro e parë shumë e barabartë me dy fitore të vendasve dhe dy të mysafirëve.
Drita mposhti Llapin 2-0 dhe Prishtina arriti fitore të lehtë ndaj Feronikelit 3-1 për t’i ndalur pikët në shtëpi.
Ndërkohë fitoret e mysafirëve ishin me rezultate identike 0-1. Ballkani triumfoi në udhëtim në Prizren ndaj Lirisë, derisa Malisheva arkëtoi tre pikë të mëdha në Klinë përballë Dukagjinit.
Golat në debutim
Nga tetë gola sa u shënuan këtë xhiro në Albi Mall Superligë, tre prej tyre ishin në debutim nga futbollistët e që kanë ndërruar mjedis.
Egzon Sinani realizoi në debutim me Prishtinën pas transferimit nga Gjilani.
Ndërkohë në sfidën Drita – Llapi, dy golat e vendasve u realizuan nga debutuesit në Superligë me fanellën bardhekaltër.
Blerim Krasniqii shënoi të parin dhe Albin Prapashtica të dytin.
Rekord i tifozërisë në Prizren
Ndeshja ku pati më së shumti tifozë të pranishëm ishte padyshim Liria – Ballkani.
Prizrenasit janë rikthyer në Superligë pas një kohe të gjatë dhe e mbushën stadiumin në përkrahje të skuadrës së tyre.
Rreth shtatë mijë tifozë ishin të pranishëm në Prizren, numër i tifozëve që ia ka lakmi secila skuadër.
Stadiumi në gjendje të tmerrshme, tifozët e Dritës e shikojnë ndeshjen nga kodra
Gjilani ka dy skuadra në Superligë, por fatkeqësisht stadiumi i qytetit ka mbetur një gërmadhë pasi punimet me muaj nuk kanë nisur.
Kësisoj nisi edhe sezoni i ri dhe Drita sërish ka dalë në fushë në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, stadium që nuk e plotëson thuajse asnjë kusht për tu zhvilluar një ndeshje zyrtare.
Edhe në këtë duel ndaj Llapit, tifozët e Dritës zgjedhën mënyra të tjera për ta parë ndeshjen, nga një kodër që ndodhet aty afër.
Protesta e ‘Plisave’ në ndeshjen e parë
Tifozëria e Prishtinës, ‘Plisat’ kanë protestuar qysh në ndeshjen e parë ndaj kryesisë së klubit.
Në ndeshjen ndaj Feronikelit, ‘Plisat’ kanë ndezur fishekzjarrë duke i hedhur ato në fushë, teksa kanë lëshuar stadiumin në pjesën e dytë.
Janë dëgjuar edhe thirrjet kundër kryesisë së klubit.
Asnjë ankesë për gjyqtarët në xhiron e parë
Ankesat në gjyqtarët janë gjithmonë prezentë në deklaratat e trajnerëve pas ndeshjes.
Por çuditërisht pas katër ndeshjeve të xhiros së parë nuk pati asnjë ankesë për gjyqtarët që kanë ndarë drejtësinë në këto duele.