Profil: Sinan Idrizi, strategu i Flamurtarit të Vlorës

Kush është Sinan Idrizi, presidenti ‘hekurt’ i Flamurtarit të Vlorës, që po bën bujë në futbollin shqiptarë? Pse besohet masivisht se 47-vjeçari do të shkruaj një histori të lavdishme në krye të klubit kuq e zi? Cilat janë projektet e tjera të Idrizit për Vlorën në bashkëpunim me gjigandët turq: Atlas Global dhe TRK Group?

Kompanitë Atlas Global dhe TRK Group – Ishte muaji Dhjetor i vitit 2013. Ishte dimri i vetmisë së madhe për Flamurtarin. Drejtuesit sapo kishin larguar nga detyra trajnerin Hulian Rubio Sançez, për shkak të rezultateve të dobta. Lojtarët kishin dy muaj pa marrë pagat. Ekipi e kishte nisur sezonin si pretendent, por rrezikonte qëndrimin në Kategorinë Superiore. Klubi po lundronte në ujëra të turbullta dhe e ardhmja dukej e pashpresë.

Papritur në labirintet e qytetit të Vlorës kishte filluar të qarkullonte një haber se pinjolli i një familjeje të nderuar dhe patriotike me origjinë nga Çamëria, që banonte në Turqi kishte shfaqur interes për të investuar fuqishëm tek ekipi i Flamurtarit së bashku me dy kompanitë: Atlas Global dhe TRK Group, por problemi i vetëm ishte se këto dy kompani ishin në negociata të avancuara për të blerë ekipin e basketbollit të Varezes, në Itali.

Megjithatë, pas insistimit të Idrizit tek bashkëpunëtorët e tij, Ali Murat Ersoy (Atlas Global) dhe NerveKorkmaz (TRK Group) pranuan që të vinin dhe të investonin nga kapitali i tyre në qytetin e flamurit. Dhe në fund të sezonit, falë mbështetjes së pakursyer të Idrizit, Flamurtari triumfoi në Kupën e Shqipërisë dhe fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në kualifikueset e Ligës së Europës.

Stafi teknik. Epoka “Sinan Idrizi” vazhdoi me trajnerin Ernest Gjoka, i cili udhëhoqi ekipin në dy raundet kualifikuese të Ligës së Europës dhe në fazën e parë të kampionatit. Më pas, Idrizi, i cili njihet si një njeri me integritet të lartë dhe me një rreth të gjerë shoqëror nisi kërkimet për të gjetuar një strateg të denjë, i cili do t’i përshtatej filozofisë së tij të punës. Pavarësisht se Idrizi kishtë mbi tavolinën e tij të punës, një listë të gjatë me emra trajnerësh të njohur që kishin drejtuar ekipe të rëndësishme në kontinentin e vjetër, në balotazh për të marrë drejtimin e klubit kuq e zi mbetën dy italianët: Andrea Agostineli dhe Ernestino Ramela.

Në fakt, përzgjedhja e këtyre dy kandidaturave ‘Made in Itali’ nuk ishte e rastësishme, pasi Idrizi ka miqësi të konsoliduar me një shoqëri italiane që merret me ndërtimin e qendrave sportive, me seli në qytetin e Varezes. Pas shumë negociatave, 57 vjeçari Agostinli refuzoi të merrte drejtimin e klubit vlonjat, për shkak të infrastrukturës së dobët që ekziston në Shqipëri, megjithëse oferta financiare e Idrizit ishte tunduese për të. Eventualisht në krye të ekipit u emërua Ramela, i cili ka firmosur një kontratë deri në fund të sezonit me të drejtë rinovimi edhe për sezonin tjetër.

Lojtarët. Idrizi kishte ide të qarta për grupin e lojtarëve që i duheshin për të arritur objektivat sezonal. Nën konsulencën e stafit teknik, ai rinovoi kontratat me lojtarët më të spikatur të sezonit të kaluar, ndërsa brenda një kohe të shkurtër afroi në ekip disa futbollist të kalibrit ndërkombëtarë, siç ishin: Nikoloz Gelashvili apo Bedi Bastien Buval.

Idrizi nuk u ndal me kaq, por ai u bëri oferta zyrtare edhe disa lojtarëve të njohur, si: Kapitenit të Ukrainës, Artem Milevski, mesfushorit të Përfaqësueses së Uruguajt, Huan Albin, lojtarit të Kombëtares së Haitit, Zhan Alsent apo sulmuesit të Estonisë, Tarmo Kink, por paragjykimet për futbollin shqiptarë bënë që këto transferime sensacionale të mos kryheshin me sukses. Këto levizje të Idrizit krijuan mjaf habi tek drejtuesit e ekipeve të tjera, të cilët shikonin me kureshtje sesi forcohej një rivali direkt në luftën për titullin kampion.

Paketa Vlora-Sport. Projekti i kompanive Atlas Global dhe TRK Group konsiston në ndërtimin e një kompleksi sportiv ultra-modern me kosto 25 milion euro, ku përfshihet një stadium me njëzet mijë vende, një akademi efikase, fusha tenisi, basketbolli, volejbolli dhe ambiente të tjera, të cilat do të ringjallin sportet që janë traditë e qytetit të Vlorës, Paketa Vlora Sport, përmban edhe projekte me karakter social dhe humanitar, siç është ndërtimi i një infrastrukture bashkëkohore, gjelbërimi i qytetit të Vlorës dhe ngritja e një parku të madh lojërash në vendin ku ndodhet stadiumi aktual.

Prandaj, besimi i tifozëve vlonjat se Sinan Idrizi është njeriu që do të hap një kapitull të suksesshëm ne krye të këtij klubi është legjitim! (nga Liri Cecja – ekspert i çështjeve të Administrimit Publik)