Profesorët e futbollit

Në futbollin e Kosovës, shumë sportistë kanë edhe profesione të dyta. Disa prej tyre krahas futbollit, e përfundojnë edhe Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit në mënyrë që të bëhen profesorë.

Trajneri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli, është profesor në Universitetin e Prishtinës teksa e ligjëron lëndën e futbollit.

Ndryshe, sikurse Sokoli veprojnë edhe disa futbollistë.

Portieri i Besës së Pejës, Valmir Bytyqi punon si profesor i Edukatë Fizike në Pejë. “Në shkollën ku jap mësim është norma e plotë dhe kam orë më pak se sa një normë. Kështu, i jam përshtatur edhe stërvitjeve dhe mësimit. Mendoj se kjo është prej punëve të rralla që mund të bëhen në Kosovë, edhe të luash futboll edhe të japësh mësim. Mua nuk më paraqet ndonjë pengesë”, i ka thënë Valmir Bytyqi Gazetës ‘Olle’.

Te Trepça ’89 janë dy mësimdhënës, Ilir Izmaku e Emin Baliqi. “Është e vështirë pasi duhet ta koordinosh mirë orarin. Thjesht, e gjithë dita të shkon në punë”, vlerësoi Baliqi. ‘Prof’ te Vëllaznimi është Rexhep Daci kurse te Ferizaj, Alban Ugzmajli.

Edhe në Ligën e Parë kemi disa profesorë e njëra ndër ta është edhe trajneri i Gjilanit, Musa Selimi i cili ligjëron në Universitetin e Prishtinës.