‘Profa’: Këta dy futbollistët të Superligës mund të ftohen nga Challandes edhe për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut

‘Timonieri’ i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli, e ka vlerësuar lart paraqitjen e futbollistëve nga Superliga e Kosovës në ndeshjen miqësore Suedi – Kosovë e zhvilluar të dielën në Katar, shkruan Zëri.info.

Sokoli ka thënë se përzgjedhësi Bernard Challandes mund që t’i ftojë futbollistët e FC Prishtinës, Visar Bekaj dhe Armend Thaqi, edhe në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut në kuadër të fazës “play-off” të Ligës së Kombeve, sfidë e cila zhvillohet më 26 mars.

“Bekaj dhe Thaqi mund të përfshihen menjëherë në Përfaqësuese madje edhe në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut. Janë lojtarë që kanë dëshmuar shumë cilësi dhe këtë e treguan edhe në ndeshjen e fundit ndaj Suedisë që është në nivel shumë të lart”, ka thënë Bylbyl Sokoli për RTV Dukagjini.

Portieri Bekaj dhe mbrojtësi Thaqi u aktivizuan për 90 minuta ndaj Suedisë, sfidë në të cilën Kosova u mund me rezultat 1:0.

Kujtojmë se FC Prishtinën ndaj Suedisë e ka përfaqësuar edhe mbrojtësi Leotrim Bekteshi, i cili u aktivizua në pjesën e parë ndaj Kombëtares skandinave.