Prishtina zyrtarizon 4 miqësore në muajin janar, luan ndaj këtyre skuadrave në Turqi

Në një atmosferë të këndshme në një prej lokaleve të kryeqytetit, FC Prishtina ka shënuar fundin e vitit 2019.

Të pranishëm ishin zyrtarë të klubit, futbollistë dhe gazetarë sportivë, përcjellë Gazeta Olle.

Nënkryetari Afrim Muçiqi ka mbajtur një fjalim të shkurtër, duke i falënderuar të pranishmit.

Ai i falënderoi futbollistët për angazhimin e tyre në këtë vit dhe gazetarët që përcjellën vazhdimisht skuadrën bardhekaltër.

E faqja zyrtare e Prishtinës në postimin paralajmërues për këtë tubim të fundivitit, ka zyrtarizuar edhe miqësoret në muajin janar.

“Skuadra do të grumbullohet më 6 janar. Më 19 janar udhëton në Turqi, Antalya për përgatitjet e stinorit pranveror dhe gjatë qëndrimit atje skuadra do të ndeshjet me tre-katër skuadra të elitës së futbollit bullgar (Arda, vendi i 7-të dhe Tsarsko Selo – vendi i 12-të në klasifikim), kazakistanas (Ordabasy – vendi i tretë në klasifikim) dhe ukrainas (Kolos – vendi i 7-të)”, ka shkruar faqja zyrtare e FC Prishtina.

Prishtinasit e mbyllin këtë vit me shpresën që 2020-a do të sjellë titullin e shumëpritur kampion. /Gazeta Olle/