Prishtina udhëton në Antalya pa një prej lojtarëve, rezultoi pozitiv me Covid-19

Prishtina sonte pas mesnatës do të udhëtojë në Turqi për të zhvilluar pjesën kryesore të fazës përgatitore për edicionin pranveror.

Ekipi kryeqytetas ka konfirmuar se portieri Alban Muçiqi ka dalë pozitiv me Covid-19 dhe do të qëndrojë në Prishtinë.

Drejtori sportiv Fisnik Kërqeli deklaroi se pjesa tjetër e ekipit janë negativë.

“Albani e ka bërë testin para disa ditësh dhe ka dalë pozitiv. Ne tjerët kemi marrë sot rezultatet dhe jemi negativë” deklaroi Kërqeli.

Prishtina dhe Drita kanë arritur marrëveshje që të mos luajnë në finalen e Superkupës së Kosovës nëse u kërkohen teste anti-covid para ndeshjes.

“Neve na intereson më tepër kampionati dhe po shkojmë atje që të kryejmë përgatitje. Kemi arritur marrëveshje me Dritën që nëse na kërkohen teste të mos e zhvillojmë ndeshjen. Kemi eksperiencë të keqe nga Evropa Liga me teste, sepse lojtarët këtu dilnin negativ ndërsa atje pozitiv” shprehet Kërqeli për Indeksonline.

Federata e Futbollit të Kosovës e ka caktuar datën 23 janar për zhvillimin e finales së Superkupës mes Dritës dhe Prishtinës në Antali të Turqisë.