Prishtina tregohet e madhe, mund malazezët edhe me lojë (FOTO)

Sigal Prishtina ka mposhtur edhe me lojë malazezët e Sutjaskas, 99:92, në një ndeshje spektakolare, me shumë kthesa.

Çereku i parë dhe i dytë i takuan mysafirëve, të cilët realizonin me lehtësi. Madje, ata në pushim shkuan me epërsi prej nëntë pikëve, 39:48. Prishtina në këtë periudhë të lojës, shquhej me gabime, sidomos në fazën e sulmit.

Në çerekun e tretë ndodhi kthesa. Të prirë nga Dardan Berisha, dhe përkrahja e Plisave, Prishtina barazoi rezultatin, duke baraspeshuar edhe lojën. Me shifra të barabarta 69:69, u mbyll 10-minutëshi i tretë.

Në të katërtin, prishtinasit shpërthyen, kurse përforcimi i fundit, maqedoni Trajkovski me dy treshe çoi rezultatin në 87:82.

Edin Bavçiq realizoi pesë pikur radhazi për 92:84, kur skuadra e tij po dominonte në parket. Bavçiq nuk ndalet, me një tjetër treshe shënon për 95:86, kur kishin mbetur më pak se dy minuta lojë.

Hijeshia tjetër e takimit ishin Plisat me atmosferën që krijuan.

Lojtari më i mirë i Prishtinës dhe në ndeshje, ishte si zakonisht, Dardan Berisha me 37 pikë. (Gazeta Olle)