Prishtina synon ta përmbyllë vitin kalendarik me fitore ndaj Llapit, Bekteshi premton më të mirën nga skuadra

Kampionia në fuqi e Kosovës, FC Prishtina ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll e zhvillon të shtunën ndaj Llapit në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, sfidë e cila i takon xhiros së 18 të BKT Superligës së Kosovës në futboll.

 

Dueli Llapi – Prishtina luhet me fillim në orën 13:00.

Ndeshja në fjalë si fillim ishte planifikuar që të zhvillohet në Merdarë, por për shkak të kushteve të terrenit, Komisioni i Garave ka vendosur që dueli në fjalë të luhet në Lipjan.

Prishtina në këtë ndeshje vjen pas humbjes së pësuar në xhiron e fundit nga Drita me rezultat 1:0, derisa Llapi në takimin e fundit barazoi me Dukagjinin (0:0).

Ndeshja e parë e zhvilluar në kryeqytet në këtë edicion mes Prishtinës dhe Llapit ka përfunduar me fitoren e llapjanëve 2:1. Prishtina që tashmë drejtohet nga trajneri Abdulah Ibrakoviq, në atë takim është udhëhequr nga ish-trajneri Zekirija Ramadani.

Përballja e Lipjanit është e një rëndësie të veçantë për të dyja ekipet, pasi si Prishtina, ashtu edhe Llapi e synon pjesën e epërme të tabelës.

Prishtina para këtij takimi ndodhet në pozitën e pestë me 24 pikë, kurse Llapi zë vendin e katërt me 26 sosh.

Para ndeshjes për faqen zyrtare të klubit, ka folur “muri” i mbrojtjes së “bardhekaltërve”, Leotrim Bekteshi. “Pres që ta japim maksimumin në këtë ndeshje dhe sigurisht se sikurse në çdo takim tjetër, edhe kësaj radhe synojmë pikë të plota. Jemi përgatitur shumë mirë së bashku me stafin e trajnerëve dhe shpresojmë se me një fitore do ta mbyllin vitin kalendarik”, ka thënë Bekteshi për faqen e klubit.

“Atmosfera pas humbjes së fundit nuk ka qenë edhe aq e mirë, mirëpo ne jemi profesionist dhe duhet që të shikojmë përpara dhe humbja me Dritën duhet që të na shërbejë si mësim që ato gabime mos t’i përsërisim”, theksoi ai duke e komentuar edhe Llapin. “Llapi e ka një skuadër shumë të mirë, e cila duhet vlerësuar maksimalisht. Jam i kënaqur që ndaj tyre do të luajmë në Lipjan pasi që fusha e mirë na konvenon edhe neve edhe Llapit”, përfundoi Leotrim Bekteshi.

Kurtaj shkëlqeu me Ferizajn, klubet e mëdha shqiptare shprehin interesim për 23-vjeçarin

I fiksuar pas makinave, Hysaj i bën dhuratë vetes një bishë të re