Prishtina reagon ashpër

Infrastruktura mbetet pika më e dobët në futbollin e Kosovës, ku stadiumet e 12 klubeve të Superligës, nuk i plotësojnë as kushtet minimale për t’u luajtur një ndeshje futbolli.

Skuadra që po e vuan më së shumti mungesën e stadiumit, është Prishtina, e cila ndeshjet si vendas do t’i luajë në Drenas, për shkak se stadiumi në kryeqytet është duke u rinovuar.

Kryetari i klubit bardhekaltër, Remzi Ejup, në një intervistë për Sportin në KTV tregon për vështirësitë e shumta që po kanë në dy sezonet e fundit.

Ejupi foli edhe për harxhimet shtesë të klubit që prej momentit kur ka filluar të rinovohet stadiumi dhe nuk beson se do të kryhet brenda këtij viti.

Arsyeja që Prishtina e ka zgjedhur Drenasin sipas Ejupit, është se nuk ka pasur zgjidhje tjetër dhe thotë se duhet të pyetet Komuna e Prishtinës se pse kryeqyteti nuk e ka një stadium për të luajtur ndeshjet klubi më i trofeshëm në vend.

Kohavisioni ka provuar të marrë një qëndrim nga Komuna e Prishtinës dhe kryetari Shpend Ahmeti, por ai nuk ka qenë i gatshëm të flas për këtë temë gjatë së martës, ashtu siç nuk kanë folur as në Ministrinë e Sportit.

Stadiumi i Prishtinës ka filluar të rinovohet para një viti dhe ende nuk dihet data e saktë se kur do të përfundojë, ani pse premtimet e ish – ministrit të Sportit, Kujtim Shala kanë qenë se në shtator do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Finlandës.

Investimet e fazës së parë janë bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 75% dhe Komunës së Prishtinës, e cila ka kontribuar me 25% të investimeve.