Prishtina prezanton me fanellat e reja Osmanin dhe Miftarajn, ja çfarë thonë lojtarët për kalimin te Prishtina

FC Prishtina vazhdon me përforcime dhe këto nuk do të jenë të fundit.

Pas Ergyn Ahmetit e Liridon Fetahajt, nga sot futbollistë të Prishtinës janë edhe dy futbollistët që deri më tani kanë veshur fanellën e Besës, mbrojtësi i djathtë, Përparim Osmani dhe mesfushori, Diar Miftaraj.

Dy futbollistët kanë nënshkruar kontratë dy-vjeçare me Prishtinën.

Përparim Osmani – 29 vjeç i lindur më 27.03.1988 në Prishtinë është i gjatë 170 cm. Mbrojtësi i djathtë me tipare ofensive luan me këmbë të djathtë dhe ka bërë karrierë në disa skuadra kosovare. Futbollistë i shkollës së futbollit të Kosovës së Prishtinës, ka luajtur edhe në Ulpianë, Hys, Dritë, Trepçë, Feronikel dhe së fundi në Besë. Me Hysin ka fituar titullin e kampionit të Kosovës, kurse Kupën e Kosovës e ka fituar dy herë, me Feronikelin dhe tani me Besën.

perparim osmani

Osmani: Më në fund do të veshi fanellën e qytetit të lindjes

“Arsyeja kryesore e kalimit në Prishtinë është se Prishtina ka traditën më të madhe në vend dhe më në fund arrijë të luaj në klubin e vendlindjes sime. Pres të kemi rezultate pozitive, të arrijmë objektivat e klubit dhe të tregojmë sa më shumë cilësi që shikuesit të jenë të kënaqur me ne”, ka thënë i njohuri si “Laqi” – Përparim Osmani.

llapi besa osmani

Diar Miftaraj – 26 vjeç i lindur më 20.10.1990 në Banjë të Pejës është i gjatë 184 cm. Luan në pozitën e mesfushorit dhe me këmbë të djathtë. Është produkt i shkollës së futbollit të Besës, klub ky që e ka ndërruar në karrierën e tij vetëm për një edicion, 2014/15 me Istogun në Superligë. Me skuadrën e Besës ka fituar dy trofe të Kupës së Republikës.

miftaraj

Miftaraj: Prishtina momenti i duhur – t’i arrijmë objektivat

“Prishtina është klubi më i mirë dhe më i madh në Kosovë. Arsyeja tjetër e kalimit tim në kryeqendër është edhe pjesëmarrja në Evropë. Ishte e vështirë të ndërroja Besën, por mendoj se ishte po ashtu momenti i duhur që të ndërroja klubin dhe besoj që nuk kam gabuar, sidomos kur është fjala për Prishtinën për të cilën premtoj angazhim maksimal që t’i realizojmë të gjitha qëllimet e klubit që ka përpara”, ka thënë Diar Miftaraj.

miftaraj llapi besa

Dy futbollistët sot iu kanë bashkuar skuadrës në hotel “Jakova” në Gjakovë dhe nga nesër do të dalin në seancën e paradites në fushën e Vëllaznimit.