Prishtina nuk ndalet, kërkon suksesin edhe në Drenas

Tri fitore radhazi është bilanci i Prishtinës në tri ndeshjet e fundit, më i miri deri më tani këtë sezon.

Bardhekaltërit nesër i pret një sfidë tejet e vështirë, pasi janë mysafir të kampionit, Feronikeli, me të cilin takohen në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit.

Trajneri Fadil Berisha vlerëson lart skuadrën kundërshtare.

“Jo vetëm që luajmë kundër liderit, por e dimë po ashtu që ka ekip të mirë dhe për atë ne jemi përgatitur shumë mirë për këtë lojë dhe do të shkojmë të zhvillojmë lojë të bukur e besoj se do të kthehemi me rezultat pozitiv”, ka thënë Berisha, për sajtin zyrtar të klubit.

Optimist shprehen edhe sulmuesi Berat Hyseni, dhe lojtari që po shkëlqen, mesfushori Lorik Boshnjaku.

“Kemi arritur që tani mjaft mirë të komponohemi , e sidomos mesfusha, po luftojmë shumë e po angazhohemi maksimalisht, andaj nuk kanë çfarë të presin tjetër adhuruesit tonë, përveç se të shkojmë të luajmë për fitore dhe të vazhdojmë serinë pozitive”, deklaroi Bosnjaku, i cili është futbollisti i vetëm i skuadrës që është paraqitur në të gjitha ndeshjet kampionale. /Olle