Prishtina nderon ish-donatorët dhe ish-futbollistët e klubit: Ftesa për duelin me Ballkanin

Prishtina është mobilizuar për ta pritur Ballkanin në kuadër të xhiros së pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Kampioni i shumëfishtë i Kosovës është nikoqir i kampionit aktual të vendit të dielën me fillim nga ora 20:00 në një ndeshje që pritet të jetë e zjarrtë.

Entuziazmi për këtë ndeshje është i madh dhe si rrallë herë më parë stadiumi Fadil Vokrri kur luan Prishtina pritet të jetë i stërmbushur.

E për këtë takim drejtuesit aktual të Prishtinës, kryetari Hakif Gashi dhe drejtori sportiv Driton Krasniqi kanë vendosur t’i nderojnë ish-donatorët e klubit, legjendat dhe futbollistët e gjeneratës së artë me ftesa.

Njoftimi i plotë nga FC Prishtina:

Drejtuesit e rinj të FC Prishtinës në krye me presidentin Hakif Gashi dhe aksionarët e tjerë së bashku me drejtorin e ri sportiv, Driton Krasniqin, kanë vendosur që t’i nderojnë ish-donatorët e klubit, legjendat e klubit, futbollistët e gjeneratës së artë, lojtarët që kanë derdhur djersë në vitet e paraluftës duke e mbrojtur me nderë e krenari fanellën e Prishtinës si dhe futbollistët që kanë kontribuar në vitet e pasluftës kur futbolli ynë nuk ka qenë i pranuar në instancat ndërkombëtare UEFA dhe FIFA.
Figura eminente të futbollit prishtinas, kosovar, mbarëshqiptar e madje edhe ndërkombëtar janë të ftuar special në ndeshjen e parë në stadiumin tonë “Fadil Vokrri” të edicionit 2022/23, FC Prishtina – FC Ballkani, sfidë e cila zhvillohet të dielën nga ora 20:00.
Këto ftesa nuk do të mungojnë edhe për ndeshjet e tjera pasi që sukseset e tyre në të kaluarën lidhen fuqishëm me sukseset tona në të ardhmen.
Derisa e kujtojmë të kaluarën tuaj të lavdishme, ëndërrojmë për të ardhmen.
Duke mos dashur të përmendim emra pasi lista është shumë e gjatë e që tashmë ju ka shkuar të ftuarve, ju mirëpresim të dielën në shtëpinë tonë të përbashkët, impiantin “Fadil Vokrri”. /Gazeta Olle/

Chelsea e blindon Armando Brojën, kontratë e gjatë për sulmuesin shqiptar

Barcelona zyrtarizon transferimin e Marcos Alonsos