Prishtina mund ta humb trajnerin e trofeve

I palodhshëm. Nxori shumë talente për futbollin e Kosovës dhe më gjerë. Nuk e ka ndërmend të ndalet së punuari pasi që futbollin e ka në gjak. Është fjala për trajnerin Gazmend Halitin, i cili ka arritur shumë suksese me grupmoshat e reja në futbollin kosovar.

Në vitin 2003-04 u shpall kampion regjional i Kosovës me Ramiz Sadikun U-13, teksa për një vit nuk pësoi asnjë humbje. Sukseset i vazhdoi te klubi më i madh në vend, Prishtina. Në vitin 2007-08 me Prishtinën U-13 e fitoi titullin e kampionit regjional kurse edhe një vit më pas e përsëriti këtë sukses.

‘Gazi’ më pas e mori drejtimin e Prishtinës U-15. Në vitin 2009-10 fitoi tre trofe, kampion i Kosovës, kampion regjional dhe doli edhe fitues i Kupës së Kosovës. Në edicionin 2010-11, me të njëjtën kategori doli kampion i Kosovës. Sukseset e vitit 2009-10 i përsëriti edhe në edicionin 2012-13. Pa trofe nuk shpëtoi as në kampionatin e fundit (2013-14) kur doli kampion i Kosovës po me Prishtinën U-15. Është edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës U-16.

Nëpër duart të tij, kanë kaluar shumë futbollistë të mirënjohur. Të kujtojmë se zbulim i Halitit, është mesfushori i Partizanit të Tiranës, Mentor Mazrekaj. “Normalisht se puna më fëmijë është shumë e vështirë. Në çdo ndeshje të hysh dhe të mendosh për fitore, nuk është e lehtë. Nuk është lehtë gjithashtu edhe t’i motivosh futbollistët vetëm për fitore”, ka thënë Gazmend Haliti për Gazetën ‘Olle’. Çelësi i suksesit sipas tij, është vetëm puna. “Punojmë gjatë tërë vitit nga pesë herë në javë prandaj kemi edhe përgatitje shumë të mirë. Gjithashtu, edhe futbollistët që i drejtoj janë shumë serioz dhe ky mendoj se është çelësi i suksesit”, shtoi ai.

Gjithsesi, Prishtina i ka mbetur tetë paga borgj dhe ai është larguar nga klubi së bashku me trajnerin tjetër, Kushtrim Munishi. “Ne i kemi bërë disa kërkesa dhe nëse na plotësohen do të rikthehemi. Këto ditë dihet e ardhmja jonë te Prishtina”, pohoi Gazmend Haliti.