Prishtina merr masa për Mendurim Hotin që u kacafyt në një turne, sulmuesi largohet nga kryeqytetasit

Mendurim Hoti, më nuk është lojtar i Prishtinës.

Kështu tha për Klankosova.tv drejtori sportiv i FC Prishtina Arsim Osmani.

“Klubi i Futbollit Prishtina ka marrë masa ndaj tij dhe mund të konsiderojmë se ai nuk është më lojtar i Prishtinës” – tha Osmani.

Osmani tha se ky nuk është incidenti i vetëm i Hotit.

“Ky s’është rasti i vetëm i tij. Ai më herët e ka pasur edhe një rast”- tha Osmani.

Të martën gjatë zhvillimit të një turneu në futboll ka ndodhur një incident mes pjesëmarrësve ku ishte i përfshirë edhe Mendurim Hoti.

Për rastin kishte raportuar gjatë ditës së djeshme Gazeta Olle.

Njohësi i çështjeve të futbollit Ardian Llumnica, tha për Klankosova.tv tha se në turne të tilla futbollistët profesionistë mund të lëndohen e që më pas trajtimi bëhet i kushtueshëm.

Llumnica tha se nuk beson që klubet e superligës iu japin leje futbollistëve të luajnë në turne të tillë, ani se nuk ka ndonjë rregullore nga Federata e Futbollit të Kosovës që e sanksionon një gjë të tillë.

“Rregullorja e garave nuk e precizon por e precizojnë rregulloret e brendshme të klubeve dhe më herët kemi pasur raste kur futbollistët për pjesëmarrje në një turne janë gjobitur nga vetë klubi. Madje nuk besojë që ka klub të superligës që një futbollist e paguan mijëra euro në muaj dhe i jep leje të luajë në turne të futbollit të vogël” – tha Llumnica.

Ai theksoi se madje në të kaluarën futbollistë të spikatur ia kanë parë sherrin turneve të tillë.

“Turnetë e tillë në të cilën luajnë futbollistët e superligës janë të rrezikshëm për shëndetin e tyre. Në të kaluarën shumë futbollistë të spikatur ia kanë parë sherrin turneve të tilla. Madje ka pasur raste kur nga lëndimet në turne iu ka shuar karriera”- shtoi ai.

Më pas ka raste kur futbollistët lëndohen dhe më pas trajtimin e lëndimit që e bëjnë në klub, që është i kushtueshëm.

Komesari i garave të Federatës së Futbollit të Kosovës ndër të tjera tha se futbollistët profesionistë marrin pjesë në turne të futbollit por vetëm tek ato me karakter humanitar social por jo rivaliteti.

E njëjtë mendon edhe trajneri i futbollit Granit Dervisholli.

Dervisholli tha për Klankosova.tv se ekipet nuk do të duhej ta lejonin që futbollistët e tyre të luajnë në turne.

Ai theksoi se lëndimi i futbollistëve mund të jetë fatal e mund të pasojë edhe shkëputja e kontratës.

Trajneri i cili posedon edhe licencën B të FIFA-s, shtoi se ekipet duhet ta rregullojnë këtë çështje edhe me kontratë.

“Pjesëmarrja e lojtarëve profesionistë nuk ishte dashur të lejohet duke marrë parasysh ngritjen e nivelit në futbollin tonë dhe njëjtën kohë ngritjen e të ardhurave financiare, por prapë krejt kjo varet nga kontratat të cilët ata i kanë dhe normalisht klubet duhet ta cekin këtë pikë” – tha Dervisholli.

“Sa kam info nga FFK nuk ka sanksione, por duhet të ketë nga klubet nëse vetëm njëra ndër pikat në kontratë është moslejimi i lojtarit të caktuar në këto lloj evenimente. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që për lojtarët profesionistë këto evenimente mund të jenë fatale, me lëndime afatgjate e në rastin më të keq me shkëputje kontrate” – theksoi ai.

 

Distria Krasniqi siguron medaljen, kalon në finale të Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”

Zyrtare: Malisheva nënshkruan me lojtarin nga akademia e klubit