Prishtina fiton testin para Ferizajt, Mushica s’luan as në miqësore

Prishtina ka shfrytëzuar pushimin e mesjavës për të luajtur miqësore me Ulpianën e Lipjanit. Takimi i luajtur në Lipjan u mbyll 2:0 për kryeqytetasit.

Golat u shënuan nga dyshja sulmuese, Labinot Osmani e Florim Bërbatovci, që realizuan në secilën pjesë.

Edhe pse trajneri Bylbyl Sokoli aktivizoi lojtarët kryesor, mungoi portieri Kushtrim Mushica, që nuk luajti për asnjë minutë. Në vend të tij u aktivizuan dy portierët tjerë, Visar Bekaj, që të dielën ndaj Trepçës ishte titullar, dhe Alban Muçiqi, që nuk ishte përfshirë fare në protokoll në sfidën e fundit.

Bardhekaltërit aranzhuan këtë miqësore para udhëtimit të vështirë në Ferizaj, ku takohen me skuadrën me të njëjtin emër të dielën, në kuadër të javës 19 të Raiffeisen Superligës. (Gazeta Olle)