Prishtina e motivuar ndaj Dritës

Trajneri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli, ka deklaruar para udhëtimit të nesërm në Gjilan, se skuadra e tij është e motivuar, pasi pozita në të cilën ndodhet ia mundëson të lufojë vetëm për fitore.

Prishtinasit i pret Drita, që po lufton për mbijetesë.

“Çdo ndeshje, si për ne, e po ashtu edhe për Dritën, është e rëndësishme. Mendoj që jemi shumë të hendikepuar me mungesën e Zhdrellës (tre kartonë), Shala, Begolli dhe Haxhimusa (të lënduar). Pra kemi gjithë këta futbollistë standard që na mungojnë. Por, besoj që takimin është vështirë të parashohim, por ne në Gjilan shkojmë për fitore”, ka thënë Sokoli për prishtinafc.com.

“Vetë pozita në tabelë dhe lufta për titull të kampionit mendoj se është motivi kryesor te futbollistët, ndërsa përveç kësaj kemi atmosferë të mirë gjatë tërë javës duke ia shtuar edhe përgatitjen e mirë që e kanë bërë – këto janë adutët tona para ndeshjes me Dritën”, shtoi ai.

Takimi është i vlefshëm për javën 21 të Raiffeisen Superligës.