Federata e Futbollit të Shqipërisë ka reaguar rreth ngjarjeve të fundit që bën bujë të madhe në Shqipëri, deklarata për media është lëshuar sot në faqet zyrtare të FSHF-së.
Duke parë presionet e larta, shtëpia më e madhe e futbollit në Shqipëri ka sqaruar të gjitha polemikat lidhur me zgjedhjet në SHRFT.
Më poshtë mund të gjeni deklaratën për media nga FSHF.
Po i drejtohemi sot komunitetit të futbollit dhe opinionin pas letrës qesharake të shpërndarë nga Bashkia Tiranë në media për një hetim ndërkombëtar e galaktik ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në atë fletërrufe janë formuluar akuza delirante të denja për hetuesinë e kohës së diktaturës ku dhe drejtësia vepronte me urdhra politik.
Kjo balonë tymuese e lëshuar ditën e sotme, një ditë para zgjedhjeve për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, është një kërcënim për anëtarët tanë dhe procesin zgjedhor që do të zhvillohet ditën e nesërme. Ne duam të garantojmë kandidatët, anëtarët tanë, si edhe të gjithë pretendentët për kandidat se ofrojmë dhe garantojmë të gjitha kushtet për një garë të ndershme, të pastër dhe mundësinë për të zgjedhur të lirë nga ndikimi politik dhe kriminal.
Pas tenativave të vazhdueshme të dështuara për të intimiduar, shantazhuar dhe kërcënuar anëtarët tanë dhe pasi vrapuan të dalin në foto me viktimën që sapo e kishin kërcënuar duke dështuar publikisht, sot Bashkia Tiranës doli hapur në përfshirjen e saj në këtë proces zgjedhor që i takon ekskluzivisht vetëm komunitetit të futbollit. Nëse deri pak orë më parë sulmonte për investime të munguara në infrastrukturën futbollistike të kryeqytetit, pas diskretitimit me fakte publike sot kryetari komunës që ndihet Superman dhe Sherlok Holms, në delirin e pushtetit u shfaq si Kryeministër, Prokuror i Përgjithshëm, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, shef i Shërbimit Informativ Kombëtar, President i UEFA-s apo FIFA-s.