Presidenti Infantino falënderon presidentin Ademi për mikpritjen e ngrohtë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino nëpërmjet një telegrami drejtuar presidentit Agim Ademi e ka falënderuar atë dhe ekipin e tij për pritjen e përzemërt më 30 shtator, në vizitën e tij të parë në Kosovë.

“Në emër të të gjithë delegacionit të FIFA-s, do të doja t’ju falënderoja ju dhe ekipin tuaj që na e keni mundësuar një pritje të përzemërt dhe mikpritje të ngrohtë, duke e bërë qëndrimin tonë shumë të veçantë me rastin e vizitës sonë në Kosovë javën e kaluar. Gjatë vizitës sonë, ne kemi ndarë shumë momente të rëndësishme.

Vizita në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe takimi me administratën e FFK-së, takimi me Presidenten e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, takimet me kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, ministrin për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Hajrulla Çeku dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ishin sigurisht disa nga pikat kryesore. Të gjitha këto momente të privilegjuara të përbashkëta na ofruan një mundësi për të shkëmbyer idetë dhe vizionin tonë për futbollin, për të shprehur mbështetjen e FIFA-s për zhvillimin e futbollit në Kosovë, veçanërisht futbollit të të rinjve dhe femrave, për të përmirësuar infrastrukturën e futbollit dhe për të nënvizuar potencialin e Kosovës.

Koha e kaluar së bashku na lejoi gjithashtu të theksojmë rolin unifikues që ka sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti dhe rolin që mund të luajë në shoqëri, veçanërisht për të mirën e të rinjve, dhe për të diskutuar mundësitë kryesore që futbolli dhe sporti mund t’i ofrojnë shoqërisë. Së fundi, dëshiroj t’ju siguroj se kjo vizitë ka përforcuar vendosmërinë tonë për të punuar së bashku për prosperitetin e futbollit dhe komunitetit në Kosovë, dhe gjithmonë mund të mbështeteni në përkrahjen e FIFA-s për zhvillimin e futbollit në vendin tuaj. Duke ju falënderuar për të gjitha përpjekjet e ndërmarra dhe për kontributin tuaj të rëndësishëm në zhvillim të sportit tonë dhe të promovimit të vlerave të tij në Kosovë, pres me padurim, i nderuar President, t’ju shoh përsëri së shpejti”, ka shkruar Infantino.

Mentor Mazrekaj shënon dy gola, Laçi merr barazim ndaj Tiranës në ndeshjen e gjashtë golave

Dalin në shitje biletat për ndeshjen Ballkani – Sivasspor, këto janë çmimet