Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës ndodhet në Kosovë, pritet nga KOK-u e KOKSH-i

Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Raffaelo Pagnozi, kanë vizituar sot Komitetin Olimpik të Kosovës, me rastin e vizitës në Kosovë.
Drejtuesit e EOC-ut, u pritën nga krerët e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, ndërsa të pranishëm në takim ishin edhe udhëheqësit e KOKSh-it, presidenti Fidel Ylli dhe sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima, të cilët e shoqëruan nga vizita që kishte Capralos në Shqipëri.
Presidenti Krasniqi, duke falënderuar presidentin Capralos për vizitën ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe përkrahjen e fuqishme që EOC po e jep për KOK-un në projekte të ndryshme.
I pari i KOK-ut e njohu edhe me sfidat dhe sukseset e vazhdueshme të KOK-ut, me theks të veçantë tri medaljet e arta olimpike në vetëm dy pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, si dhe suksesin e fundit, marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Nga ana e tij, presidenti Capralos, pasi vizitoi zyret e reja të KOK-ut, përgëzoi presidentin Krasniqi për sukseset e arritura, duke theksuar se suksesi i sportistëve tanë, veçanërisht atyre të xhudës është storje suksesi edhe për Komitetet e fuqishme Botërore.
Capralos vlerësoi lart edhe projektet e KOK-ut, promovimin e vlerave olimpike, si dhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
I pari i EOC-ut, Capralos, nesër do të pritet nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, kurse në orët e pasditës (15:30) do të organizohet konferencë për media. /Gazeta Olle/

Publikohen rezultatet zyrtare të Kampionatit Evropian të Hapur të Xhudos, Kosova prin bindshëm

Mediat turke shkruajnë për dy emra të ri që janë kandidat për trajner të Kosovës