Presidenti i Dritës, Bunjaku: Ne nuk kënaqemi asnjëherë me humbje, por jemi të kënaqur kur mbrohet denjësisht fanella dhe luhet për stemën

Drita u eleminua nga Feyenoord, pas një drame të vërtetë në Holandë.

Megjithatë, aventura e nënkampionëve të Kosovës në Conference League përfundon me kokën lartë, pas paraqitjes së jashtëzakonshme ndaj gjigantit holandez, shkruan Gazeta Olle.

Pas barazimit 0-0 në Prishtinë, bardhekaltrit u mposhtën 3-2 në Rotterdam, duke pranuar gol në minutën e fundit të ndeshjes dhe duke e humbur epërsinë prej 1-2 të pjesës së parë.

E krenar me paraqitjen e skuadrës gjilanase është edhe presidenti i këtij klubi, Flamur Bunjaku.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Bunjaku shprehet i kënaqur që skuadra e tij nuk u tregua aspak inferiore, duke premtuar se Dritën e presin netë edhe më të mëdha evropiane.

“Krenarë pa fund me paraqitjen e futbollistëve ndaj Feyenoordit. Ne nuk kënaqemi asnjëherë me humbje, por jemi të kënaqur kur mbrohet denjësisht fanella dhe luhet për stemën. Nuk u treguam inferior as ndaj Feyenoordit, nuk do të tregohemi asnjëherë ndaj asnjë kundërshtari. Ky është vetëm fillimi, netë edhe më të mëdha evropiane na presin në të ardhmen”, ka shkruaj Bunjaku.

“Intelektualët” tani rikthehen në shtëpi për t’i mbushur bateritë para fillimit të sezonit të ri, por padyshim se emocionet e dhuruara gjatë kësaj aventure nuk do të harrohet lehtë.

/Gazeta Olle/

Shkëndija e mbyll aventurën evropiane pa asnjë fitore dhe gol të shënuar

Lutfi Haziri me fjalë të mëdha për Dritën: Krenaria e jonë, në disa raste i dha leksion 15 herë kampionit të Holandës