Presidenti i Anderlechtit tregon përse ia mohoi Shqipërinë Hasit

Ndonëse Hasi asokohe ishte vetëm një zëvendëstrajner te klubi i njohur belg, Vanden Stok dukej se kishte bërë plane për gjakovarin, i cili tani është kthyer në një nga teknikët më interesantë në arenën e futbollit europian.

“Hasi është pikërisht trajneri që kam ëndërruar të kisha gjithmonë. Unë shpresoj që ta kem në drejtim për 10 vite me radhë tek Anderlehti dhe që ai të mos marrë oferta nga jashtë. Por edhe ai duhet të më falënderojë, sepse i thashë jo Shqipërisë dhe klubit të Meshelenit që e kërkuan kur ai ishte ende vetëm një asistent”, shpjegoi Vanden Stok për ofertat që kishte marrë në vitin 2011.

Hasi asokohe ishte në bisedime me drejtuesit e FSHF-së, të cilët ishin gati t’i ofronin ish-mesfushorit të përfaqësueses shqiptare një kontratë afatgjatë për të drejtuar ciklin e ri kuqezi, ndërsa e ndihmuan që të merrte shpejt edhe licencat e UEFA-s. Por kontrata e nënshkruar me kampionët e Belgjikës pengoi arritjen e marrëveshjes përfundimtare, sidomos pasi Vanden Stok i komunikoi Hasit se nuk do të largohej nga klubi, sepse kishte plane për të ardhmen e tij. Kontrata e Hasit u rinovua dhe në vitin 2014 iu dha mundësia për të treguar vlerat e tij, si trajner i parë i Anderlehtit. Ai arriti menjëherë rezultate të shkëlqyera, që sollën titullin Kampion dhe Superkupën e Belgjikës, pa harruar paraqitjet mbresëlënëse të skuadrës në Ligën e Kampioneve, shkruan koha.net.

“Ai është trajneri perfekt për ne në këtë moment. Duket shumë agresive sjellja e tij në stol? Jo, ai është perfekt në sjellje, do ta kishin kritikuar nëse do të rrinte i qetë. Nuk shqetësohem për mënyrën se si i përjeton gjërat pranë vijës anësore, ai i di kufijtë. Më pëlqen mënyra se si ai tregohet i sinqertë me të gjithë lojtarët, më pëlqen edhe aftësia që ka për të kuptuar se pse një lojtar luan aq mirë. Kam njohur trajnerë që asnjëherë nuk e kuptonin. Pastaj futbolli që po bën është i shkëlqyer, është loja ideale për planet tona. Ne kemi të njëjtin vizion dhe ai është një njeri i këtij klubi. Ka qenë lojtar, zëvendëstrajner dhe tani trajner i parë. Ai punon shumë mirë me të rinjtë, përgatit lojtarët në mënyrë të shkëlqyer taktikisht dhe fizikisht. Me kalimin e kohës, jam i bindur se do të shkëlqejë edhe në arenën europiane. Në fakt, unë shpresoj që jo, se përndryshe do të largohet nga këtu”, ishte batuta e presidentit të Anderlehtit për trajnerin shqiptar.