Presidenti Agim Ademi uron Dritën dhe tifozët e saj pas barazimit ndaj Feyenoordit

Skuadra nënkampione e Kosovës, Drita ka arritur të luajë baras 0:0 kundër gjigantit holandez, Feyenoord, në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në një atmosferë madhështore të krijuar nga tifozët “Intelektualët”, shkruan Gazeta Olle.

Pas këtij barazimi historik ka reaguar edhe presidenti i FFK-së Agim Ademi, duke uruar Dritën për lojën shumë të mirë dhe për angazhimin maksimal të shfaqur kundër gjigantit holandez, Feyenoord.

“Të dashur miq, sonte dua të uroj Dritën për lojën shumë të mirë dhe për angazhimin maksimal të shfaqur kundër gjigantit holandez, Feyenoord.
Barazimi 0:0 kundër një klubi të tillë është një sukses për Dritën dhe për futbollin tonë, edhe pse realisht rezultati baras nuk sjellë ndonjë siguri të madhe për ndeshjen e kthimit.
Gjithsesi të luash kaq mirë si teknikisht ashtu edhe taktikisht ndaj skuadrave të tilla gjigante pa dyshim ka vend për urime, andaj me këtë rast përgëzoj trajnerin e po ashtu edhe futbollistët për lojën e sotme.
Gjithashtu, falënderoj edhe tifozët për atmosferën e krijuar dhe të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e kësaj ndeshje.
Vazhdimësia e lojërave të tilla cilësore po tregon se liga e Kosovës po vjen në nivelin ku e ka vendin dhe po dëshmohet se kemi futboll cilësor. Uroj tifozët e Dritës dhe të gjithë dashamirët e futbollit”. ka shkruar Agim Ademi.

Ndeshja e kthimit ndërmjet Feyenoordit dhe Dritës, do të zhvillohet me 29 korrik në Roterdam të Holandës.

/Gazeta Olle/

“Ky është vetëm fillimi, gjëra edhe më të mëdha na presin në të ardhmen” – mesazhi i Flamur Bunjakut pas barazimit së Dritës ndaj Feyenoordit

Ardian Nuhiu: Jam i kënaqur me rezultatin, përgëzoj lojtarët për paraqitjen