Presidenti Agim Ademi gjatë qëndrimit në Kaunas në manifestimin e 100-vjetorit të anëtarësimit të Lituanisë në FIFA, ka takuar kreun e këtij institicioni, Gianni Infantino.
Në këtë takim, Ademi dhe Infantino diskutuan për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe marrëdhëniet e mira mes FIFA-s dhe vendit tonë. Si gjithmonë edhe në këtë takim, i pari i futbollit botëror shprehu admirimin e tij për Kosovën dhe për presidentin Ademi, si theksoi interesimin e tij për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Infantino po ashtu u interesua për ngjarjet e fundit që ndodhën në veri të vendit, ku një grup terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës.
Ai kujtoi se sot një vit ka qenë në Kosovë dhe u shpreh edhe një herë falënderues për mikpritjen e ngrohtë. Që të dy në fund ritheksuan përkushtimin e tyre në zhvillimin dhe promovimin e vlerave të futbollit në Kosovë dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes në lojën e futbollit.
Ky takim edhe një herë konfirmon marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira të kreut të FFK-së me Infantinon dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Kosovës dhe FIFA-s.