Presidenti Ademi takoi ish-nënkryetarin e kryesisë së parë të FFK-së

Sot presidenti Agim Ademi priti në takim Gafurr Kabashin, ish-nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mandatin e parë të themelimit të saj, e që presidenti Ademi e quan kryesia e pavarësimit të futbollit të Kosovës.

Presidenti u shpreh i lumtur që priti ish-nënkryetarin Kabashi, të periudhës së pavarësimit, kohë në të cilën ishte edhe vet protagonist.

Ademi theksoi se e vlerëson punën e atëhershme që e ka bërë ajo kryesi bashkë me kryetarin e parë Agim Bytyqi, ku më datën 20 gusht 1991 në sallën e shkollës fillore “Asim Vokshi” në Kodrën e Trimave në Prishtinë ishte mbajtur mbledhja e parë e themelimit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, e cila e organizoi futbollin në ato vite me të gjitha rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s edhe pse nuk ishte e pranuar në këto institucione.

Përkundër rrethanave të vështira dhe represionit të madh të regjimit të atëhershëm, kjo kryesi arriti që të organizohet dhe t’i vazhdojë garat në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me stadiume të improvizuara në toka private, të cilat vullnetarisht u liruan nga popullata për t’u zhvilluar futbolli, derisa futbollistët luajtën pa përfituar mjete financiare vetëm për të kontribuar si segment në shtetësinë e atëhershme të Kosovës.

Andaj për nder të 30-vjetorit të themelimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, presidenti Ademi dhe ish-nënkryetari Kabashi u dakorduan që bashkërisht të organizojnë një eveniment për të shënuar këtë datë jubilare.

Nga ana tjetër Kabashi falënderoi presidentin Ademi, KE-në dhe FFK-në për gatishmërinë dhe respektin që i bënë. Ai po ashtu e përgëzoi FFK-në për punën që bëri që nga pranimi në FIFA dhe UEFA e deri më tash.

Zyrtare: Elbasan Rashani prezantohet te skuadra e Ligue 1

Gjyqtarët nga Shqipëria do të ndajnë drejtësinë në ndeshjen Prishtina – Connah’s Quay