Presidenti Ademi inspektoi punimet në stadiumin “Zahir Pajaziti”

Presidenti Agim Ademi ka qëndruar sot në Podujevë, ku ka vizituar stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Me këtë rast, presidenti Ademi së bashku me anëtarin e KE-së, njëherësh kryetarin e LRF të Prishtinës, Ismajl Ajeti kanë inspektuar punimet në fushën e këtij stadiumi, i cili me mbështetjen e FFK-së po shndërrohet nga bari artificial në fushë me bari natyral.

Kreu i FFK-së është pritur nga kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina dhe zyrtarë tjerë të klubit dhe të kompanive që janë duke kryer punët në stadium.

Batatina e ka falënderuar edhe një herë FFK-në dhe posaçërisht presidentin Ademi për mbështetje në realizimin e këtij projekti kapital. Ai ka bërë të ditur se tashmë është kryer një pjesë e madhe e punëve si drenazhimi, sistemi i ujitjes si dhe vendosja e disa shtresa të rërës, teksa po vazhdon vendosja e shtresës së fundit të rërës, e cila do të pasojë me mbjelljen e barit.

Punimet në fushë janë duke u mbikëqyrur nga kompania e specializuar turke dhe e licencuar nga UEFA e FIFA,

“Iren limited sirket”, e cila mirëmban të gjitha fushat e stadiumeve të klubeve të Superligës turke. Fusha e stadiumit “Zahir Pajaziti” do të jetë me standardet e UEFA-s dhe njëra nga fushat më të mira jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

Ndërkohë, presidenti Ademi ka vizituar edhe ambientet e brendshme të stadiumit, për çka ka përgëzuar drejtuesit e klubit për punën e bërë, derisa është bërë e ditur se shumë shpejt do të fillohet edhe me ndërtimin e tribunës lindore, me çka stadiumi “Zahir Pajaziti” do të shndërrohej në njërin prej stadiumeve më simpatike në vend.

 

Zyrtare: Ballkani njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me dy futbollistë

Januzaj shënon gol fantastik ndaj Monacos (Video)