Premierliga mirëpret vendimin e fundit të Qeverisë britanike

Qeveria britanike e ka lejuar kthimin e të gjitha aktiviteteve sportive prapa dyerve të mbyllura nga e hëna, 1 qershor. Ky vendim është mirëpritur nga drejtori ekzekutiv i Premier Ligës, Richard Masters.

Sportet profesioniste do të kenë mundësi t’u kthehen aktiviteteve nga e hëna, mirëpo do të duhet t’i respektojnë të gjitha udhëzimet e caktuara nga Departamenti i Mediave, Kulturës dhe Sportit.

Premier Liga ka qenë e suspenduar që nga marsi për shkak të përhapjes së virusit Covid-19 në botë, mirëpo kampionati pritet të rinisë sërish më 17 qershor, pasi që për këtë datë janë pajtuar klubet në takimin e fundit.

Ministri britanik, Oliver Dowden, ka thënë: “Pritja ka marrë fund. Sporti do të kthehet drejtpërdrejt në Britani të Madhe së shpejti, në ambiente të sigurta dhe të kontrolluara me kujdes”.

Ky vendim e ka gëzuar drejtorin ekzekutiv të Premierligës, i cili reagoi menjëherë ndaj lajmit duke e mirëpritur vendimin e qeverisë.

“Premier Liga e mirëpret lajmin e sotshëm nga qeveria. Të gjitha sportet profesioniste, përfshirë këtu edhe Premier Ligën, kanë qenë duke punuar me Departamentin e Mediave, Kulturës dhe Sportit për këtë protokoll”, thuhet mes tjerash në reagimin e Masters.

Të gjitha 92 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni të Premier Ligës do të shfaqen në televizione, ndërsa policia ka kërkuar që të paktën gjashtë – ndër të cilat edhe ndeshja kur Liverpooli pritet ta fitojë titullin – të luhen në stadiume neutrale, në mënyrë që tifozët të mos grumbullohen jashtë stadiumeve.