Prej çfarë u frikësua Rodgers?

Trajneri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, ka pranuar se është frikësuar se do të shkarkohej më herët gjatë këtij edicioni.

“Reds” në edicionin e kaluar e mbyllën kampionatin në pozitën e dytë, kurse në fillim të këtij edicioni pas largimit të Luis Suarezit dhe lëndimit të Daniel Sturridget, skuadra hyri në një seri negative. Rodgers deklaroi se si rrjedhojë e rezultateve të dobëta kishte frikë se do të shkarkohej nga pozita e trajnerit në nëntor të vitit të kaluar pas humbjes kundër Crystal Palace, 3:1, që ishte humbja e katërt radhazi.

“Pas ndeshjes kundër Crystal Palace ndjeja se nuk ka lidhje çfarë përkrahje gëzoj, ngase thjesht skuadra nuk funksiononte. Por, nuk doja të hiqja dorë. Gjithmonë kam luftuar gjatë jetës sime. Ndjehem mirë këtu dhe dëshiroj të jem i suksesshëm. E kuptoj situatën, sepse kam përvojë nga skuadra Reading. Këtë e kam mësuar kur u shkarkova te Reading. E kisha mbështetjen e presidentit, që ishte gjë e mirë për mua. Edhe pse ishte një projekt trevjeçar dhe e njihja klubin më mirë se kushdo tjetër, u shkarkova pas vetëm 20 ndeshjes”, ka thënë Rodgers.

“Atë që e mësova atje është se fakti nuk ka rëndësi fare nëse e ke përkrahjen e presidentit apo drejtuesve tjerë të klubit. Gjëja më e rëndësishme është suksesi i skuadrës”, ka shtuar Rodgers.

Liverpooli aktualisht është në një seri prej 11 ndeshjeve pa humbje në Ligën Premiere dhe Rodgers e pranon se ndryshimet është dashur t’i bëjë më herët. “Është dashur t’i merrja disa vendime të cilat na kanë mundësuar të kthehemi afër asaj çfarë ishim më herët. Gjithsesi, këtë është dashur ta bëja edhe më herët. Ne nuk kishim identitet dhe këtë e panë të gjithë”, ka nënvizuar Rodgers.