“Zeri.info” mëson se epiteti i futbollistit më të mirë për xhiron e 11 i takoi sulmuesit të Dritës, Marko Simonovski, gjithsesi, çmimit në fund iu gëzuar Ermal Krasniqi i Ballkanit.
Marko Simonovski ishte hero i Dritës në xhiron e 11 duke shënuar një gol dhe asistuar në një tjetër në fitoren e Dritës ndaj Llapit në udhëtim me rezultat 3:1.
Ai është ftuar që ta marrë çmimin, por për arsye personale nuk ka mundur që të shkojë.
Në fund, FFK së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova vendosen që t’ia ndajnë çmimin Ermal Krasniqit të Ballkanit, i cili në atë xhiro ndaj Prishtinës, dha kontribut të madh në triumfin e skuadrës së tij ndaj kampionit në fuqi FC Prishtina, me një gol dhe një asistim në fitoren e suharekasve me rezultat 2:0.
Se çmimin e kishte fituar si fillim Marko Simonovski, një gjë të tillë e ka konfirmuar për Zeri.info edhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.
“Marko është zgjedhur lojtari i javës. Është e vërtet se e kanë ftuar Federata, por ai nuk ka shkuar për arsye personale, nuk e di se pse nuk ka shkuar”, ka thënë Valon Zymberi.
FFK me këtë rast nuk ka njoftuar se Marko Simonovski e ka merituar këtë çmim, duke e mbyllur këtë “histori” me Ermal Krasniqin.