Pranohet Federata e Notit

Në 7 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Notit (FINA).

Vendimi, i marrë nga Byroja vendimmarrëse e FINA-s, do të thotë se notuesit e Kosovës do të jenë të pranueshëm të garojnë në Lojërat e sivjetme inauguruese Evropiane në Baku dhe do të provojnë të kualifikohen në Olimpiadën e vitit të ardhshëm në Rio de Janeiro.

Kosovës gjithashtu i është lejuar të garojë në Kampionatin e sivjetmë Botëror të FINA-s në Kazan, edhe pse shteti nikoqir, Rusia, kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës, si dhe kërkesën e saj për t’u bërë pjesë e Kombeve të Bashkuara.

Portali “insidethegames”, siç transmeton Koha.net, thotë se ndoshta nga frika e zemërimit të Rusisë e në veçanti presidentit të saj, Vladimir Putin, organi botëror vendimmarrës ka zbuluar lajmin e anëtarësimit të Kosovës me vetëm një njoftim të shkurtër me tre rreshta në ueb-faqen e saj zyrtare dhe deri më tani nuk kanë lëshuar asnjë komunikatë për media për vendimin e tyre.

FINA është organi i fundit drejtues që njeh anëtarësinë e Kosovës pas vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) që ta pranojë Kosovën anëtare me të drejta të plota gjatë muajit dhjetor në Monte Carlo.

Kosova është vendi i 208-të që bëhet anëtare e FINA-s dhe i 52-të në Evropë, raporton telegrafi.