Pranimi në FIBA, takohen Shala e Belegu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, ka pritur në takim drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të udhëhequr nga kryetari Erolld Belegu, pas pranimit të FBK-së në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA).

Ministri Shala fillimisht e uroi kryetarin Belegu dhe krerët e FBK-së për pranimin në FIBA, por theksoi se tani është shtuar fluksi i punës dhe sfidat në mënyrë që të arrihen rezultate në standarde dhe gara.

Gjithashtu, ministri theksoi se është i vetëdijshëm që duhet përkrahje edhe nga shteti për sportin në përgjithësi, por veçanërisht edhe për basketbollin, duke pasur parasysh se është prej sporteve me masivitet në vendin tonë dhe ka një traditë. Ai tha se investimet kapitale që janë fokusuar në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës do të ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë dhe interesimit për pjesëmarrje. Ai i informoi drejtuesit e FBK-së edhe për ndryshimet ligjore që janë bërë sa i përket licencimit dhe themelimit të federatave e shoqërive sportive dhe se pas rishikimit të buxhetit përkrahja për sportin do të rritet edhe më shumë.

Nga ana tjetër, kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, shprehu falënderimin e tij për mirëpritjen që ka bërë Kosova në tërësi për pranimin e FBK-së në FIBA dhe se

krahas gëzimit për ndërkombëtarizimin e basketbollit kosovar, FBK këtë proces e konsideron edhe si një obligim. Ai tha se tani pas pranimit të FBK-së në FIBA është shtuar nevoja për përkrahje edhe më të madhe, dhe se pret nga MKRS-ja mbështetje në këtë drejtim.

Ndër të tjera, Belegu e ka informuar ministrin edhe për mbarëvajtjen e garave si dhe fokusimin në punën me grupmoshat e reja, ku prej sot FBK-ja ka angazhuar një trajner amerikan për të punuar me këto grupmosha, puna me basketbolliste, si dhe certifikimin e trajnerëve në kuadër të planeve afatgjata që ka FBK-ja.