Nazmi Gripshi është një lojtar i lirë, pasi kontrata me Ballkanin i skadon më 30 qershor.
Mesfushori nga Durrësi ka qenë padyshim ylli kryesor i Ballkanit dhe ndër lojtarët më të mirë që ka pasur futbolli kosovar.
Ai për katër vite te Ballkani ka bartur barrën kryesore me gola e asistime, duke luajtur rol kyç që klubi suharekas të fitoj tre tituj kampioni, Kupën e Kosovës dhe Superkupën.
Përveç kësaj Gripshi ka shkëlqyer edhe në Evropë ku falë golave e asistimeve të tij Ballkani preku dy herë grupet e Ligës së Konferencës.
Megjithatë kampioni në fuqi ka bërë një postim skandaloz për largimin e tij, me vetë dy rreshta duke e falënderuar.
“Faleminderit Nazmi Gripshi. Bëjmë me dije se marrëveshja me futbollistin nga Durrësi ka përfunduar, andaj klubi e falënderon mesfushorin për kontributin e dhënë tek ne, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës së tij. Suksese Gripshi”, kaq ka shkruar faqja e Ballkanit.
Njësoj nuk kishin vepruar me Edvin Kuc dhe Armend Thaqin, por edhe me lojtarët e tjerë të larguar më parë.
Gjithsesi përshëndetja ka qenë e hidhur për një futbollist që ka shkruar historinë e këtij klubi, por duket se palët nuk janë ndarë mirë në fund të marrëveshjes. /Gazeta Olle/