Portieri i mirënjohur, Petrit Tahiri objektiv i shumë skuadrave kosovare

Pas ndeshjes së humbur të barazhit ndaj Malishevës dhe dështimit për tu inkuadruar në Superligë, Vushtrria ka mbetur me shumë dilema dhe pikëpyetje për të ardhmen me disa prej lojtarëve kyq që mund të ndryshojnë ambient në merkaton verore.

Burime të Gazetës Olle bëjnë të ditur se në mesin e atyre që pritet të largohen është edhe portieri me shumë përvojë, Petrit Tahiri, i cili ka oferta nga Superliga dhe Liga e Parë.

Tahiri me pritjet e tij ishte ndër më meritorët në suksesin e Vushtrrisë, e cila ishte edhe skuadra me kohën më të gjatë pa pësuar humbje në Ligën e Parë duke mos u mposhtur në 19 xhirot e para kampionale.

I pyetur nga Olle në lidhje me të ardhmen, 29 vjeçari u shpreh: “Është e vërtetë që ka përfunduar kontrata ime me Vushtrrinë dhe se jam në negociata me disa skuadra, për momentin nuk mund të jap diçka më shumë deri sa të ketë diçka konkrete dhe nënshkrim në letër, por mund të them se po punoj fortë që në edicionin e ardhshëm të kem formë akoma më të mirë dhe pse jo të kem një sezon të paharrueshëm”.

Vite më parë, Petrit Tahiri kishte ndihmuar Vushtrrinë të shpallej kampione në Superligë për herë të parë dhe të vetme në histori të klubit teksa falë paraqitjeve fantastike ishte shpallur nga Federata e Futbollit të Kosovës edhe si “Portieri më i mirë në vitin 2014”.

Hapet Qendra e parë e Futbollit Kinetik, projekt për futbollin inteligjent nga Arsim Gojani

Arrihet marrëveshja mes palëve, sulmuesi i ri nesër i bashkohet Gjilanit në Ohër