Pogba e Evra, gati për Shqipërinë

Do të jetë një Francë e mbushur me yje ajo që do të zbresë në tapetin e “Elbasan Arena”-s për tu përballur me Shqipërinë në miqësoren e 13 qershorit. Trajneri i “Gjelave” Didier Deschamps publikoi listën e 24 futbollistëve që do të përfaqësojnë 1-herë kampionët e Botës në dy ndeshjet miqësore të muajit qershor fillimisht ndaj Belgjikës në “Stade De France” dhe më pas kundër Kombëtares Kuqezi në Elbasan.

 

Janë të shumtë lojtarët që zotërojnë një klas të jashtëzakonshëm në listën e Francës. Ndaj Shqipërisë përfaqësuesja e gjelave do të udhëhiqet nga emra të tillë si Paul Pogba, Patrice Evra, Raphael Varane, Olivier Giroud dhe Antoine Griezmann. Mungesa e madhe për Francën do të jetë ajo e sulmuesit të Realit të Madridit Karim Benzema i cili nuk është grumbulluar nga Deschamps për arsye dëmtimi.

Tre janë portierit e përzgjedhur nga trajneri i bluve, ku spikat Hugo Lloris por nuk mbeten pas as Mandanda dhe Ruffier.

Në mbrojtje përvec rikthimit në kombëtare të Patrice Evra por edhe të konfirmuarit Raphael Varane, Deschamps ka grumbulluar edhe lojtarë të tillë si Jallet, Koscielny, Mangala, Sakho e Tremoulinas.

Të një niveli shumë të lartë janë edhe mesfushorët ku përvec Pogba janë thirrur edhe Cabaye, Gonalons, Kondogbia, Matuidi, Payet dhe Moussa Sissoko. Sulmi është një nga pikat më të forta të Francës dhe mbrojtja e kombëtares sonë nuk duhet të bëjë kujdes vetëm nga Giroud dhe Griezmann por edhe dyshja e talentuar e Lyonit Lacazzete-Fekir ndërsa Valbuena dhe risia N’Tep kompletojnë listën prej 24 emrash të publikuar nga Deschamps.

Përballë Francës Shqipëria do të synojë një tjetër rezultat historik si ai që arriti në “Stade Lorient” në Rennes ku barazoi 1-1 por ai gol i Mërgim Mavraj krijoi ndjesinë e fitores për të gjithë kuqezi deri sa erdhi i barazimi i vendasve me Griezmann.